Lajme

Samiti i Procesit të Berlinit, Rama zbulon çfarë pritet të ndodhë

Në Tiranë më 16 tetor do të zhvillohet samiti i Procesit të Berlinit duke qenë kështu hera e parë që mbahet në një vend jashtë Bashkimit Europian.

E teksa pak ditë na ndajnë, Kryeministri Edi Rama nuk ka nguruar të zbulojë disa nga zhvillimet që priten të ndodhin atë ditë.

I ftuar në podkastin “Inside Albania” me gazetaren Alice Taylor, kreu i shtetit bëri me dije se Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen do të prezantojë planin e ri të rritjes ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“[Presidentja e Komisionit Europian] Ursula von der Leyen do të prezantojë planin e ri të rritjes ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor, si rezultat i përpjekjeve të gjata dhe diskutimeve thelbësore që kemi pasur me Brukselin për nevojën që të shkëputemi disi nga metoda tradicionale si i qasemi procesit të anëtarësimit.

Deri më tani, procesi tradicional ka qenë i tillë: nëse nis bisedimet apo merr statusin e vendit kandidat, ke qasje në disa programe të vogla. Për të pasur qasje në programe më të mëdha, duhet të jesh anëtar. Nuk mund të vijojë më kështu.

Në njërën anë, duhet më shumë mbështetje financiare, në anën tjetër duhet qasje në hapësirën e tregut të unifikuar, që do të na ndihmonte shumë. Kjo do të jetë tema kryesore e asaj dite dhe mendoj se ky do të jetë një samit ku arritjet do të jenë shumë të rëndësishme,” u shpreh Rama.

Duke folur për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Europian, Rama tha se eksperienca e ka mësuar se nuk duhen varur shpresat te afatet që cakton BE-ja, sepse ato ndryshojnë kur bëhet fjala për marrëdhënien me vendet ballkanike.

“Le të jemi të sinqertë dhe realistë. Europa funksionon në një mënyrë që Komisioni, Këshilli bazohen në zgjedhje, ndryshime. Charles Michel është një president fantastik i Këshillit Europian, por ai nuk do të jetë aty vitin e ardhshëm. Komisioni në përbërjen aktuale po ashtu. Anëtarësimi në 2030 nuk është vendim. Ma ka mësuar eksperienca se nuk duhet varur shpresa tek afatet që cakton BE-ja, sepse ato ndryshojnë kur bëhet fjala për marrëdhënien me vendet tona. Tani që jemi në procesin e bisedimeve, nuk jam i shqetësuar sepse është e rëndësishme të bëjmë detyrat.

Nëse i bëjmë mirë, atëherë ne jemi një vend që funksionon si shtetet anëtare, sa i takon standardeve, mënyrës si njerëzit i qasen shtetit dhe anasjelltas, si funksionon shoqëria, si punojnë institucionet dhe si zhvillohet ekonomia. Formalizimi nuk është diçka që Charles Michel apo të gjithë mund të vendosin sot, sepse gjërat mund të ndryshojnë,” tha Rama.