Lajme

Armët e sekuestruara, Sveçla: Po qartësohet plani i Serbisë për aneksimin e veriut

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar pas kapjes së një sasie të re armatimi, municionesh e pajisjesh tjera ushtarake gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Në një postim në rrjetet sociale ai thotë se po vijon zbardhja e planit të strukturave terroriste të Serbisë për aneksimin e veriut të vendit tonë.

Svelça bën me dije se pandalshëm dhe me energji shtesë do të vazhdojnë deri në çrrënjosjen e terrorizmit kundër Republikës.

“Vijon zbardhja e planit të strukturave terroriste të Serbisë për aneksimin e veriut të vendit tonë. Armatimi i zbuluar sot bën pjesë në arsenalin e Zveçanit dhe Banjskës. Në kuadrin e aktivitetit policor, sot u zhvilluan bastisje në shtatë lokacione në veriun e vendit tonë.

Granatahedhës dore, eksplozivë, mina kundër këmbësorisë, mina me sahat e teledirigjim, detonatorë e çanta me pajisje të ndryshme, prodhime të njëjta me ato që u sekuestruan në Banjskë dhe më herët në Zveçan, po qartësojnë për ne dhe për opinionin ndërkombëtar gjerësinë e planit të Serbisë për aneksimin e veriut përmes agresionit terrorist. Ne pandalshëm dhe me energji shtesë do të vazhdojmë deri në çrrënjosjen e terrorizmit kundër Republikës,” shkruan Sveçla.