Lajme

Banorët e Gazës në krizë humanitare, bllokohen kamionët me ushqime në Egjipt

Egjipti po përballet me presion çdo ditë e në rritje për të vepruar, ndërsa Gaza fqinje goditet nga sulmet izraelite pas sulmit brutal të fundjavës së kaluar në Izrael nga Hamasi.

Pas sulmeve të Hamasit, Izraeli mbylli dy pikat e tij kufitare me Gazën dhe vendosi një rrethim të plotë, duke bllokuar kështu furnizimet me karburant, ushqime, ujë dhe energji elektrike. Bllokimi i pikave kufitare ka shkaktuar probleme dhe ka ngritur shqetësimin për mungesë ushqimesh dhe medikamentesh nëpër spitale.

Ndërkohë, mësohet se Izraeli ka lënë të hapur vetëm vendkalimin Rafah, midis Gazës dhe Egjiptit, si të vetmen  rrugëdalje të mundshme për të nxjerrë njerëzit dhe furnizimet, por vendkalimi ka qenë i mbyllur për pjesën më të madhe të javës së kaluar, madje as banorët e Gazës dhe as shtetasit e huaj nuk kanë mundur të kalojnë.

Një zyrtar palestinez i kufirit tha për CNN se Egjipti i kishte bllokuar portat e kalimit me pllaka të mëdha betoni. Ndërsa, Egjipiti ka mohuar se ka mbyllur anën e tij të kalimit duke shtuar se pala e Gazës është dëmtuar nga sulmet e përsëritura ajrore izraelite. Ministri i Jashtëm egjiptian, Sameh Shoukry, në një prononcim të shkurtër për CNN tha se kalimi ishte i hapur, mirëpo ishin bombardimet ajrore ato të cilët bënë që rrugët të ishin të bllokuara në anën e Gazës.

Sipas pamjeve të siguruara nga CNN, Kamionët e ndihmave të ngarkuara me furnizime shihen duke pritur hapjen e kufirit Gaza-Egjipt, në El-Arish.

Kamionët e autokolonave të ndihmave të ngarkuara me furnizime shihen duke pritur hapjen e kufirit Gaza-Egjipt, në El-Arish, Egjipt, më 15 tetor. Mahmoud Khaled/Getty Images
Kamionët e autokolonave të ndihmave të ngarkuara me furnizime shihen duke pritur hapjen e kufirit Gaza-Egjipt, në El-Arish, Egjipt, më 15 tetor. Mahmoud Khaled/Getty Images

Fluturimet e ndihmave nga Jordania, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Kryqi i Kuq kanë mbërritur në qytetin egjiptian të El-Arish, afërsisht 45 kilometra larg nga Rafah, sipas pamjeve të transmetuara në televizionin shtetëror egjiptian.