Lajme

Biden anulon vizitën në Kolorado, duke nxitur spekulimet për udhëtim drejt Izraelit

Presidenti i SHBA, Joe Biden anuloi papritur planet për një udhëtim të hënën në Kolorado, njoftoi Shtëpia e Bardhë, duke nxitur spekulimet se ai së shpejti do të shkojë në Izrael në shenjë solidariteti, ndërsa Izraeli përballet në luftë kundër Hamasit.

Biden është ftuar në Izrael nga kryeministri Benjamin Netanyahu, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby për CNN, duke shtuar se ai nuk kishte plane udhëtimi për të njoftuar, për momentin.

Biden, 80 vjeç, do të udhëtonte në Kolorado për të vizituar një fabrikë të prodhimit të turbinave me erë, ku do të shpallte ringjalljen ekonomike dhe mesazhet pro-mjedisore në thelb të fushatës së tij të rizgjedhjes në 2024.

Udhëtimi, i anuluar në minutën e fundit, do të riplanifikohet, tha Shtëpia e Bardhë.

Në vend të kësaj, Biden do të qëndrojë në Uashington për të marrë pjesë në takimet e sigurisë kombëtare, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë të shkurtër.

Biden do të “qëndrojë i fokusuar në atë që po ndodh midis Izraelit dhe Hamasit”, tha Kirby.

Disa media, duke përfshirë Axios dhe CNN, kanë raportuar se zyrtarët amerikanë dhe izraelitë po diskutojnë një udhëtim të mundshëm të Bidenit drejt Izraelit.

Biden ka premtuar në mënyrë të përsëritur mbështetje të fortë për aleatin e ngushtë të SHBA-së, Izraelin, ndërsa ai hakmerret për sulmin e Hamasit të 6 tetorit nga Gaza që vrau qindra izraelitë, shumica prej tyre, civilë.