Lajme

“Ende kërcënohemi”, Kurti në Samit: Të ndëshkohet Serbia për sulmin në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte sot pjesëmarrës në Samitin e Procesit të Berlinit që po mbahet në Tiranë.

Bëhet me dije se para liderëve të Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor, ku prezente ishte dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bernabic, Kurti ka kërkuar që të ndëshkohet e Serbisë për sulmin e 24 shtatorit në veri, ku mbeti i vrarë një polic dhe u plagosën dy të tjerë.

Ai tha se Kosova ende kërënohet nga Serbia me pushtim, teksa tha se ky fakt do mjaftonte që Samiti mos të vazhdojë punën si zakonisht.

“Në një sulm terrorist kundër Kosovës më 24 shtator, një nga oficerët tanë të policisë u vra, por autorët ende enden të lirë në Serbi edhe pse publikisht e pranuan përfshirjen e tyre. Ky ishte një akt i urryer i sponsorizuar nga Serbia, siç tregojnë provat e pakundërshtueshme. Ne kemi konfiskuar mbi 5 milionë euro armatim dhe municione të sofistikuara të prodhuara në Kragujevc dhe Çaçak.

Katër herë në dy vitet e fundit Serbia ka sjellë ushtrinë e saj në kufirin tonë. Edhe njëzet e pesë vjet pas fushatës gjenocidale, dhe pas kaq shumë raundeve të dialogut, Kosova ende kërcënohet me pushtim nga Serbia. Ky moment na kërkon të reflektojmë dhe të mos e vazhdojmë punën si zakonisht. Një veprim i tillë nuk duhet të mbetet pa u ndëshkuar”, tha Kurti.

Ndër të tjera, kryeministri i Kosovës tha se Ballkani Perëndimor duhet të punojë për një të ardhme të përbashkët dhe që qytetarët të jenë të lirë dhe pa frikë për të ardhmen.