Lajme

Blinken e konfirmon: Biden viziton Izraelin të mërkurën

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka konfirmuar se ditën e nesërme, të mërkurë, presidenti Joe Biden do të vizitojë Izraelin. Gjithshtu ai bëri me dije se gjatë një bisede telefonike mes Biden dhe kryeministrit izraelit Benjamin Natanyahu, është rënë dakort për një plan i cili do të mundësojë që furnizimet me ndihma humanitare të mbërrijnë tek civilët në Gaza.

Në deklaratën e tij sekretari amerikan i Shteti tha se  presidenti do të “riafirmojë solidaritetin e Shteteve të Bashkuara me Izraelin” si dhe do të punojë gjithashtu për të siguruar lirimin e pengjeve të marra nga Hamasi.

“Presidenti Joe Biden do të vizitojë Izraelin të mërkurën. Presidenti do të riafirmojë solidaritetin e Shteteve të Bashkuara me Izraelin dhe angazhimin tonë të hekurt për sigurinë e tij”, tha Blinken.

Kujtojmë se më herët presidenti Biden shprehu mbështetje për përgjigjen e Izraelit ndaj Hamasit, duke thënë gjatë një interviste në emisionin “60 Minutes” të kanalit CBS se Izraeli do t’i kundërvihet “një grupi njerëzish që janë angazhuar në barbarizëm që është me po aq pasoja sa edhe Holokausti”.

Presidenti Biden tha se Izraeli do të bëjë “gjithçka të mundur për të shmangur vrasjen e civilëve të pafajshëm” si dhe theksoi se do të ishte  “një gabim i madh” nëse Izraeli do të pushtonte Rripin e Gazës.