Lajme

Tensionet në veri, Kurti kërkon që forca shtesë të KFOR të ruajnë kufirin me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me komandantin e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, Ozkan Ulutash.

Mediat e Kosovës, raportojnë se Kurti dhe komandanti i KFOR, folën për situatën e tensionuar në veri si dhe për sigurinë e Kosovës.

Kurti ka shprehur kërkesën se Kosova është e interesuar që të rrisë bashkëpunimin me KFOR-in.

“Kryeministri e mirëpriti shtimin e numrit të trupave të KFOR-it, në përgjigje të sulmit terrorist nga ana e Serbisë në Kosovë, duke theksuar që kjo prezencë e shtuar duhet të koncentrohet në ruajtjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, prej nga edhe ka hyrë armatimi i Serbisë dhe nga vjen kërcënimi për Kosovën.

Ruajtja e kufirit nënkupton po ashtu mbylljen e rrugëve ilegale, prandaj edhe është i domosdoshëm bashkëpunimi më i madh me Policinë e Kosovës”, u tha në njoftimin e Zyrës së Kurtit.

Kujtojmë që kërkesa për më shumë trupa në veri vjen pas ngjajres së 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku terroristë serbë sulmuan policinë e Kosovës, duke lënë një viktimë dhe dy të plagosur.