Lajme

Mijëra kilometra larg, në Tiranë protestohet pro Palestinës

Në sheshin “Skënderbej” në kryeqytet po mbahet një protestë në mbështetje të popullit palestinez. Protesta është organizuar nga Forumi Mysliman i Shqipërisë, teksa bëhet thirrje për ndalimin e luftës në Gaza.

Me pankarta në duar, dhjetëra qytetarë kanë dënuar masakrat e bëra ndaj popullësisë civile.

Forcat izraelite kanë nisur një operacion aktiv dhe të fuqishëm ushtarak kundër Rripit të Gazës në përgjigje të një ofensive ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite.

Konflikti filloi kur Hamasi filloi Operacionin “Al-Aksa Flood”, një sulm i befasishëm i shumëanshëm duke përfshirë një breshëri lëshime raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.

Rreth 3 mijë raketa u lëshuan në harkun kohor prej 20 minutash nga Hamasi në drejtim të Izraelit, me këta të fundit që u kundërpërgjigjën menjëherë.

Hamasi tha se sulmi ishte në hakmarrje për sulmin ndaj Xhamisë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve. Si përgjigje, ushtria izraelite nisi operacionin Shpatat e Hekurt kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës, i cili ende vazhdon.