Lajme

GJKKO sekuestron pasuritë e Jamarbër Malltezit

GJKKO ka sekuestruar pasuritë e Jamarbër Malltezit, dhëndrit të ish-kryeministrit të vendit Sali Berisha.

Jamarbër Malltezi u arrestua këtë mbrëmje me urdhër të SPAK.  Ai akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash.

Mësohet se dhëndri i Sali Berishës ishte duke u kthyer nga një vend i Bashkimit Europian, kur është ndaluar në ambientet e aeroportit të Rinasit. Urdhëri është të është firmosur nga prokurori i posaçëm Arben Kraja. Shkak për arrestimin e Jamarbër Malltezit është bërë kompleksi “Partizani”.

Në vitin 2008, pronat ku ndodhej kompleksi ishin në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Mirëpo, ish kryeministri brenda pak kohësh ua dha disa personave të tretë, të cilët pretendonin se ishin pronarë. Ndërsa përfaqësuesi ligjor i tyre ishte Jamarbër Malltezi, dhëndri i Berishës.

Sipas marrëveshjes, Malltezi do të merrte jo më pak se 5 për qind të vlerës së pronave të kthyera. Pronat e Klubit Partizani u kompensuan brenda 6 muajsh, me një vlerë mjaft të ulët. Edhe pse flitej për rreth 33 mijë metër katror tokë, shteti në atë kohë i ka dhënë për pronarët 100 milionë lekë.

Metoda e kompensimi përdorur nga grupi i ekspertëve është në kundërshtim të hapur me VKM 794 datë 21.11.2007 dhe të Udhëzimit Nr. 6364 datë 03.07.2008 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transferohet dhe procedurën e shitjes”, të cilët përcaktojnë që vlera e objekteve të privatizuara duhet t’i referohet çmimit të tregut të lirë.

Fakti i mësipërm i kthimit të pronës tek persona të lidhur me pushtetin dhe posaçërisht tek dhëndri i ish-Kryeministrit të asaj kohe (viti 2008) si dhe qëllimi tij për të ndryshuar destinacionin dhe ta kthejë në një kantier ndërtimi duke ndërtuar në finale 17 kulla banimi e shërbimesh disa katëshe, provohet dhe me themelimin në të njëjtën kohë të shoqërive Homeplan shpk si dhe Kontakt shpk. Vetë i dyshuari Jamarbër Malltezi është trashëgimtar që rrjedh nga familja Begeja në masën e 1/64 pjesës takuese që e përthyer në sipërfaqe rezulton të jetë 144m2 truall si dhe faktit që në përfundim të kësaj sipërmarrje ai ka mbi 60% të pronësisë së objekteve të ndërtuara, e cila tregon dhe njëherë synimet afatgjata dhe të mirë menduara të të akuzuarve në realizimin e qëllimeve të tyre”, thuhet në dosje.

Më tej theksohet se skema e lidhjes për realizimin e kthimit të pronës tek personat e lidhur me funksionarët më të lartë të shtetit konstatohet që në procedurën që prona nuk ishte ende e kthyer tek familjet pretenduese si ish-pronarë, ortaku i mëvonshëm i të dyshuarit Jamarbër Malltezit del garantor për pagimin e detyrimit të blerjes së ndërtesave të ish- Kompleksit Sportiv Klubit “Partizani”.

Shoqëria themelohet nga i njëjti person në vitin 2008, konkretisht i dyshuari F. Bektashi, i cili zotëronte 100% të aksioneve dhe administrimin i vetëm, duke krijuar perceptimin se nuk ka një lidhje direkte në momentin e themelit të këtyre shoqërive por që në të vërtetë fakti që i dyshuari Bektashi shpreh vullnetin e tij duke marrë përsipër detyrimin në momentin e privatizimit dhe po në atë kohë me mbylljen e procedurës me organet publike krijon dhe shoqërinë “Homeplan” sh.p.k ,tregon që ka një garanci të madhe se mbi atë sipërfaqe do vijohet me dhënien e lejes së ndërtimit dhe me realizimin e veprës fakt që sot është i njohur botërisht se është realizuar ky qëllim. 

Faktet e mësipërme përforcohen dhe më tej ku pasi përfundon vepra në vitin 2018, i dyshuari Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja bëhen përfitues maxhoritarë të shoqërisë Homeplan sh.p.k duke kontrolluar tashmë dhe vendimarrjen e asamblesë ku Z. Fatmir Bektashi ju shet atyre në një vlerë qesharake përkatësisht Jamarbër Malltezit 35.000 lek aksionet në masën 35% dhe Xhimi Begeja 25.000 lek aksione në masën 25% në një shoqëri e cila ka një kapital 100.000 lek dhe ndërmerr realizimin e një vepre mbi 20 milion dollarë”, theksohet në dosje.