Lajme

Afera me privatizimin e “Partizanit”, Policia i shkon Berishës në selinë blu

Edhe pse gati mesnatë, selia blu gumëzhinë nga zërat dhe përkrahësit e Sali Berishës, i cili tashmë është vënë nën hetim nga drejtësia.

Afera e privatizimit të ish klubit sportiv “Partizani” bëri që dhëndri i tij Jamarbër Malltezi të përfundonte pas hekurave.

Pasi Berisha përfundoi konferencën e jashtëzakonshme për shtyp, oficerët e policisë së Krimit Ekonomik u paraqitën në selinë e Partisë Demokratike, për t’i komunikuar ish-kryeministrit masën e sigurisë, “detyrim paraqitje.”

Si dhe pasaporta e ish-kryeministrit është bllokuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, duke i hequr atij mundësinë për t’u larguar jashtë vendit.

Ai është një ndër zyrtarët më të lartë të shtetit për të cilin kërkohet një masë sigurimi, duke u bërë i pari ish-president i Republikës që ka hesape të hapura me drejtësinë.

Hetimet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nisën pas një kallëzimi penal të bërë në vitin 2020, nga ministri i Brendshëm Taulant Balla, në atë kohë kreu i grupit parlamentar të PS.

Në atë tokë, kur dikur ndodhej Klubi sportiv “Partizani”  sot janë ndërtuar dhe vijojnë të ndërtohen ende dhjetëra kulla, teksa Jamarber Malltezi është bashkëpronar me mbi 40% të aksioneve, duke korrur miliona.

Akuzat penale të ngritura nga SPAK:

Sali Berisha – Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë  kryer në bashkëpunim, (neni 260 ) dhe 25 i K.Penal

Jamarbër Malltezi – Korrupsion pasiv në bashkëpunim (neni 260) dhe Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, (neni 287) i K.Penal;

Fatmir Bektashi -Korrupsion aktiv  dhe Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale,= (neni 287) i K.Penal;