Lajme

Kosova sot në agjendën e diskutimeve të BE-së në Luksemburg

Këshilli i Punëve të Jashtme, i kryesuar nga shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell, ditën e sotme do të zhvillojë një takim në Luksemburg. Në rendin e ditës pritet të jetë edhe situata mes Kosovës dhe Serbisë pas sulmeve terroriste të 24 shtatorit në Bansjkë ku humbi jetën efektivi i Policisë, Afrim Bunjaku.

BE thotë se është e bashkuar dhe do të kërkojë nga të dyja palët, si Kosova ashtu dhe Serbia, që të kontribuojnë me urgjencë në shuarjen e konfliktit dhe rikthimin te dialogu.

Në një deklaratë për media thuhet se Këshilli do të diskutojë edhe mbi situatën në Izrael dhe në rajon, pas veprimeve brutale të Hamasit dhe sulmet terroriste pa dallim kundër Izraelit dhe ngjarjet që po shpalosen në Gaza.

Gjithashtu në rendin e ditës pritet të jetë edhe lufta në Ukrainë si dhe situata në Kinë dhe Sahel.

Ministrat e BE do të marrin pjesë më pas në takimin e 19-të ministror BE-Azinë Qendrore me Kazakistanin, Republikën e Kirgistanit, Taxhikistanit, Turkmenistanit dhe Uzbekistanit.