Lajme

Shtyhet seanca për Berishën, avokatët kërkojnë kohë të njihen me aktet

Gjykata e Posaçme e GJKKO ka njoftuar se është shtyrë seanca gjyqësore për ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili akuzohet për aferën e privatizimit të kompleksit Partizanit.

Bëhet me dije se seanca e radhës, ku do bëhet vlerësimi i masës për Berishën do të zhvillohet nesër në orën 14:30. Seanca është shtyrë pasi avokatët e ish-kryeministrit kanë kërkuar kohë që të nihen me aktet.

Sali Berisha akuzohet për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal, teksa i është caktuar masa “detyrim paraqitje”.

Sipas SPAK: Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, jane kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi Jamarbër Malltezi.

Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë  kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij.

Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij, të strukturave të ndryshme të administrates shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.

Ndërkohë, ditën e djeshme GJKKO la në fuqi masën “arrest me burg” për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit Berisha. Gjitashtu, u la në fuqi masa “detyrim paraqitje” për biznesmenin Fatmir Bektashi.

Malltezi akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendor” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në njoftimin e SPAK thuhet se Malltezi ka përfituar 5.4 milionë euro apo rreth 7 miliardë lekë, me favorizimin e Berishës si kryeministër sa i takon kompleksit Partizani.

Sakaq, Malltezi në bashkëpunim me Fatmir Bektashi, është paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe marrë përfitimin monetar në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro, (përfitim i paligjshëm) duke e paraqitur si e ardhur e ligjshme e siguruar nga investimi në veprimtari në ekonomike.

Bektashi, ka ndihmuar Malltezin që nëpërmjet “Homeplan” sh.p.k., të realizonin fshehjen e origjines së vërtetë të përfitimeve monetare të parregullta të shtetasit Malltezit, duke i paraqitur ato si të ardhura te ligjshme nga biznesi.