Lajme

Tentojnë të fshehin fytyrën, mbërrijnë në gjykatë të rinjtë që përdhunuan 26 vjeçaren

Albi Ceno dhe Oltjan Tahiri, dy të rinjtë që janë arrestuar nga Policia e Vlorës për përdhunimin e një vajze 26 vjeçe, kanë mbërritur në gjykatë dhe kanë dalë para togave të zeza. Ndaj tyre është dhënë masa e sigurisë “Arrest me burg” dhe sot pritet të bëhet vlerësimi i saj.

Këta shtetas akuzohen nga Prokuroria e Vlorës se kanë nxitur për të konsumuar drogë dhe kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një vajzë 26 vjeçe.

Në kërkim është shpallur shtetasi Gentjano Mehmeti dhe një 36 vjeçar tjetër, të cilët pas analizimit të pamjeve filmike është provuar se kanë qenë të pranishëm në ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës së kaluar.

Me kokat ulur duke biseduar me njëri-tjetrin dhe në tentativë për të fshehur fytyrën nga kamerat që ndodheshin në sallën e gjyqit, Albi Ceno dhe Oltjan Tahiri kanë dalë para togave të zeza. Dje, disa media kanë raportuar se vajza e përdhunuar ka ndryshuar dëshminë, duke thënë se ka shkuar “me dëshirë” me tre të rinjtë.

Albi Ceno dhe Oltjan Tahiri ne Gjykaten e Vlores
Albi Ceno dhe Oltjan Tahiri ne Gjykaten e Vlores

Mirëpo, dyshimet dhe raportimet nga gazetarët lokalë të Vlorës, tregojnë se gjatë gjithë kohës në ambientet e Spitalit të Vlorës kanë qenë të pranishëm familjarët e personave të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë.

Të paktën dy nga katër djemtë që janë përfshirë në drogimin dhe përdhunimin e 26 vjeçares janë familjarë (djalë dhe vëlla) i personave me pushtet në qytetin bregdetar. Njëri raportohet se është djali i një biznesmeni, kurse tjetri vëllai i një zyrtare partie.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasit Oltjan Tahiri, 31 vjeç dhe Albi Ceno, 28 vjeç, si dhe vijon puna për kapjen e shtetasit Gentjano Mehmeti, 32 vjeç, të tre banues në Vlorë, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë nxitur një 26-vjeçare, që të përdorë lëndë narkotike, dhe kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, me të”, thuhet në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Policisë së Vlorës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme hetimore.