Lajme

SPAK i sekuestroi tokën e burrit, Xhaçka: Saliu le të lehë, me pantallona nëpër këmbë

Ish-ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka reaguar në lidhje me vendimin e SPAK, që vuri në sekuestro preventive 5512 m2 truall të bashkëshortit të saj, Artan Gaçi.

Xhaçka shkruan se bashkëshorti i saj nuk ka marrë ansjë metër katror tokë nga shteti për investimin e tij privat. Ajo thotë se prona është vënë në sekuestro prej disa javësh si pjesë e një hetimi.

Ndër të tjera ajo sulmon edhe Berishën, teksa shkruan: “le të vazhdojë të lehë për të tërhequr vëmendjen nga pantallonat e rëna deri në fund”.

Nje kusar me damkë dhe shpifës me nam si Sali Berisha nuk mund t’i bëjë askujt moral. Bashkëshorti im nuk ka marrë asnjë metër katror tokë nga shteti për investimin e tij privat dhe vënia nën sekuestro preventive prej disa javësh e nje pjese te kantierit të investimit, për të hetuar origjinën e një prone private qysh nga viti 1994 është pjesë e një procesi që unë as e dyshoj në qëllim, as e komentoj në meritë.

SPAK-u të bëjë punën e vet i papenguar nga askush, ndërsa Sali Berisha le të vazhdojë të lehë për të tërhequr vëmendjen nga pantallonat e rëna deri në fund”, shkruan Xhaçka në postimin e saj.

Lexo edhe: Origjina e falsifikuar, SPAK sekuestron 5512 m2 truall të Artan Gaçit

Kujtojmë që Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka sekuestruar 5512 m2 truall Artan Gaçit. Siç raportojnë mediet, është vendosur sekuestro preventive për burrin e ish Ministrit Olta Xhaçka, i cili është nën hetim për falsifikim të aktit të marrjes së tokës në pronësi.

Në këtë mënyrë, ai ka arritur të fitojë edhe statusin e investitorit strategjik. Ndërkohë, hetimet vijojnë të jenë të hapura edhe për të tjera veprime për verifikim pasurish.

Ka qenë kryetari i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, i cili ndodhet në burg prej 4 muajsh, që bëri denoncimin në SPAK, ndaj kryebashkikaut në detyrë të Himarës, Jorgo Goro, ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të saj Artan Gaçi.

Ai ka kallëzuar për shfrytëzimin e tokave në mënyrë të paligjshme në Himarë. Konkretisht në padi thuhet: “të gjitha veprimet e kundërligjshme të kryera nga Kryetari i Bashkisë Himarë, Këshilli i Qarkut Vlorë dhe ish-punonjësit e ZVRPP Vlore në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë kryer për shkak se kjo pasuri është tjetërsuar në favor të të tretëve dhe mbi këtë pronë, pasi është blerë, është marrë statusi i investitorit strategjik nga shtetasi Artan Gaçi, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i Ministres se Mbrojtjes në atë kohë, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme”.