Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, është pritur sot në Departamentin Amerikan të Shtetit nga i dërguari Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Gjatë këtij takimi ata kanë biseduar lidhur me ecurinë e reformave demokratizuese dhe integruese dhe mbështetjen e Kuvendit për avancimin e tyre.
Gjithashtu është diskutuar dhe për situatën në veri të Kosovës dhe ngjarjet e ndodhura së fundmi, ku më 24 shtator terroristët serbë sulmuan efektivët në Banjskë duke lënë të vdekur policin, Afrim Bunjaku. Lidhur me këto ngjarje Escobar i ka shprehur Nikollës edhe njëherë qëndrimin e SHBA, duke theksuar se dialogu është e vetmja zgjidhje.
“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA sot janë më të mira se asnjëherë. Partneriteti strategjik është konkretizuar në bashkëpunimin e shkëlqyer në Këshillin e Sigurimit të OKB dhe do të jetë i tillë edhe në KDNJ. SHBA dëshirojnë ta kenë Shqipërinë partnere dhe mbështesin aplikimin e saj në sa më shumë organizata ndërkombëtare. SHBA mbështesin fuqimisht integrimin e Shqipërisë në BE, vlerësojnë arritjet e deritanishme dhe inkurajojnë thellimin e luftës kundër korrupsionit.
SHBA kanë dënuar aktin terrorist të 24 shtatorit dhe përgjegjësinë e Serbisë për këtë akt. Marrëveshja e Ohrit është një marrëveshje strategjike dhe duhet punuar për zbatimin e saj. SHBA mbështesin dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE, si e vetmja rrugë drejt paqes dhe sigurisë, dhe po punojnë për njohjen e saj edhe nga pesë shtetet e BE që nuk e kanë njohur dhe po ndërtojnë një fushatë njohjesh globale për Kosovën”, thuhet në njoftim.