Lajme

Dëshmia e 16-vjeçarit në Lezhë: Më përmendi babain, humbja e tij një dramë për mua

Ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në një gjimnaz në Lezhë, ku një nxënës goditi me karrige mësuesen e tij, Majlinda Palushin, tronditi opinionin publik.

Në dëshminë e dhënë, mësuesja Palushi, e cila aktualisht ndodhet te spitali i Traumës në Tiranë ku dhe po merr mjekimin e nevojshëm, ka treguar se teksa ishte duke dhënë mësim, 16 vjeçari ndodhej në bankën e fundit dhe po bënte muhabet me një tjetër nxënës. Në atë moment ajo i ka bërtitur duke i thënë që do i nxjerrë jashtë nga ora e mësimit, gjë e cila ka sjellë dhe debatin mes saj dhe 16-vjeçarit, Geraldon, ku i është drejtuar këtij të fundit duke i thënë se nuk e meritonte të kalonte vitin e kaluar.

Më pas mësuesja Palushi i është betuar, “për eshtrat e babait tim se do të ngel”, duke hedhur kështu poshtë deklaratën e bërë nga i mituri i cili tha se i kishte përmendur babain e tij të ndjerë.

“Nuk e di çfarë ndodhi. Pata një gjendje të rënduar psikolgjike pasi mësuesja më përmendi babanë, ndërsa po flisnim për frekuentimin e shkollës. Ka qenë një dramë për mua humbja e babait dhe e përjetova sërish në atë moment. Nuk kam patur asnjë debat më parë me mësuesen, nuk duhej të ndodhte”, mësohet të ketë dhënë në deklaratën e tij 16-vjeçari.