Lajme

FOTOT/ Avokatja e re e Berishës, “hetuese” dhe “fanse” e Edi Ramës

Valentina Teodoroseku është avokatja e re që ka marrë përsipër mbrojtjen e Sali Berishës në Gjykatën e Posaçme. Pas një sage më shumë se tre ditore për vlerësimin e masës së sigurisë, avokatja e shtetit ka pranuar përfaqësimin e ish-kryeministrit.

Mirëpo, ashtu si avokati Artan Simoni që u përjashtua si mbrojtës ligjor i shtetit sepse kishte bërë një postim që “shënjestronte” Berishën dhe në këto kushte nuk mund ta përfaqësonte në gjyq, edhe Teodoroseku duket se nuk është një mbështetëse e Berishës.

Ajo shkruan në llogarinë e saj në Facebook se “Ka punuar në Hetuesi”, ndërsa mes postimeve që ajo shpërndan bien në sy ato për kryeministrin Edi Rama, shkruan newsbomb.al.

Kategoria e punesimit e shenuar nga avokatja Valentina Teodoroseku ne Facebook
Kategoria e punesimit e shenuar nga avokatja Valentina Teodoroseku ne Facebook

Ky fakt është konstatuar edhe nga mediat pranë Berishës, ndërsa avokati Genc Gjokutaj u shpreh se vendimi i sotëm për vlerësimin e dy masave të sigurisë ndaj Sali Berishës është marrë “si në diktaturë” dhe pa u lexuar fare aktet e dosjes.

Saga e gjyqit ndaj Sali Berishës në Gjykatën e Posaçme

Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi ishin dy avokatët e autorizuar nga Sali Berisha, por ata braktisën seancën pasi nuk u pranua kërkesa e tyre për përjashtimin nga trupa gjykuese të gjyqtares Irena Gjoka. Në kushtet kur dy avokatët braktisën përfaqësimin, u caktua si avokat shteti Artan Simoni.

Ky i fundit u përjashtua nga vetë Gjykata e Posaçme sepse kishte bërë disa postime në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, të cilat pretendohej se “shënjestronin” Sali Berishën, shkruan newsbomb.al.

Avokatja e caktuar kryesisht nga shtetit, Valentina Teodoroseku
Avokatja e caktuar kryesisht nga shtetit, Valentina Teodoroseku

Avokate kryesisht për mbrojtjen e Sali Berishës në seancën për konfirmimin e masave të sigurisë “Detyrim paraqitje” dhe “Ndalim i daljes jashtë vendit”, u caktuan Rabije Cenalia dhe Jalldyz Kastrati. Ish-kryeministri tha në konferencë për mediat se nuk i njihte dy zonjat.

Por njëra prej tyre, Jalldiz Kastrati, nuk është një emër i panjohur në botën e politikës. Ajo rezulton të ketë qenë dikur kandidate për deputete e LSI, sot Partia e Lirisë, me kryetar Ilir Metën, ndërsa avokatja tjetër Rabie Cenalia raportohet se është një mbështetëse e Partisë Demokratike.

Kur u futën në ambientet e Gjykatës së Posaçme, Cenalia dhe Kastrati u thanë mediave se do të merrnin përsipër përfaqësimin e Sali Berishës, duke i dhënë fund sagës gjyqësore për masën e sigurisë.

Postimet ne Facebookun personal te Valentina Teodorosekut
Postimet ne Facebookun personal te Valentina Teodorosekut

Mirëpo, rreth orës 17.30 u njoftua se Gjykata e Posaçme kishte përfunduar me sukses seancën për vlerësimin e masave të sigurisë ndaj Sali Berishës, dhe ky i fundit urdhërohej të paraqitej para oficeres së Policisë Gjyqësore dy herë në muaj, shkruan newsbomb.al.

Po ashtu, u mësua se avokate mbrojtëse nuk kishin qenë Rabije Cenalia dhe Jalldyz Kastrati, pasi këto të fundit kishin kërkuar dy ditë kohë për t’u njohur me aktet e dosjes dhe në mungesë të kësaj kohe Gjykata e Posaçme vendosi të mos merrte parasysh kërkesën dhe përfaqësimin e tyre.

Avokate mbrojtëse nga ana e shtetit ishte caktuar kryesisht Valentina Teodoroseku dhe ajo ka bërë përfaqësimin e shtetasit Sali Berishës në seancë.

//Newsbomb.al