Lajme

Ish-deputeti socialist Anduel Xhindi, emërohet në krye të “Illyrian Guard”

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Anduel Xhindi do të drejtojë tashmë “Illyrian Guard”, një shoqëri tregtare me kapital 100 % shtetëror për ofrimin e shërbimeve me pagesë, kundrejt subjekteve të treta, publike apo private, në fushën e rendit dhe të sigurisë publike.

Anduel Xhindi ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në harkun kohor Nëntor 2011 – Shtator 2021, duke përfaqësuar banorët e Bashkisë Roskovec, Qarku Fier. Gjatë tre mandateve si deputet, ai ka ndihmuar në hartimin e politikave dhe ligjeve që kanë ndikuar në financat dhe drejtësinë publike.

Prej Tetorit 2023, ish-politikanit socialist i është besuar detyra si Administrator i shoqërisë “Illyrian Guard”.

Anduel Xhindi është djali i ish-deputetit të ndjerë Fatmir Xhindi, i cili u ekzekutua përpara shtëpisë së tij në vitin 2009. Ngjarja që tronditi gjithë Shqipërinë vijon të jetë e pazbardhur edhe pasi ka kaluar më shumë se një dekadë, ndërsa familja disa herë ka përsëritur apelin për drejtësinë.

Edhe në një intervistë që ka dhënë për Newsbomb.al tre vite më parë kur ishte ende deputet, Anduel Xhindi është shprehur se zbardhja e vrasjes së babait të tij dhe deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, është peng për familjen dhe detyrë për autoritetet të vënë drejtësinë në vend.

“U bënë tashmë 11 vite që kur ka ndodhur kjo ngjarje e rëndë e cila ka prekur jo vetëm familjen tonë por mbarë opinionin, pasi nuk është vrarë vetëm babai im por është vrarë në derë të shtëpisë deputeti i Parlamentit të Shqipërisë dhe akoma sot e kësaj dite nuk është hedhur drite mbi këtë ngjarje.

Edhe pse kanë kaluar shumë vite dhe jemi ne të njëjtën situatë si në fillim dhe është zbehur besimi, ne do të vazhdojmë të luftojmë derisa të zbardhet kjo ngjarje dhe autori apo autorët të vihen para drejtësisë. Është peng për familjen dhe detyrim për ata që e kanë për detyre t’i japin përgjigje duke vënë drejtësinë në vend”, ka thënë Anduel Xhindi në një intervistë për gazetarin Ilir Xhafaj, publikuar më 4 Maj 2020 në portalin Newsbomb.al.