
Kënga “Oj Kosovë” është fituesja historike e edicionit të parë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës. Këngëtarit Arbër Salihu, i njohur artistikisht si La Fazani, i është dhënë trofeu me simbolin e Kosovës. Kënga që flet për dashurinë për vendin, por edhe ironinë e gjendjes aktuale në të njëjtën kohë hyn në historinë e festivalit të këngës së mirëfilltë shqipe.
“Për mua nuk ka qenë me rëndësi të shkoj në ‘Eurovision’, as të fitoj nuk ka qenë me rëndësi. Vetëm të marrë pjesë në Festival. Kam dashur të kontribuoj, të sjell një frymim që është stili që e kam kontribuar”, ka thënë kantautori Salihu, i cili e ka realizuar muzikën dhe tekstin e këngës fituese të edicionit të parë të Festivalit të Këngës.
Çmimi është ndarë nga kryeministri Albin Kurti.
“Kaq shumë energji e bukuri për më shumë se dy orë, përjetim i paharrueshëm dhe përvojë e veçantë besoj për secilin prej nesh që ishte këtu”, ka thënë kryeministri Kurti para se t’i jepte çmimin La Fazanit.
Çmimin e dytë e ka marrë “Angus Dei” me “Një zemër për dy”, ndërsa të tretin Albin Nikprelaj me këngën “Ajo”.