Lajme

Partia Socialiste çon në SPAK deputetin e PD: Sulmoi fizikisht kolegun Vullnet Sinaj!

Partia Socialiste ka kallëzuar penalisht në SPAK deputetin demokrat Bledjon Nallbati, pas episodit që ndodhi tre ditë më parë në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku ky i fundit sulmoi fizikisht kolegun socialist Vullnet Sinaj.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Bledi Çuçi ka njoftuar se kallëzimin penal dhe thotë se socialistët nuk do të tolerojnë asnjë akt dhune, duke ftuar organet ligjzbatuese të bëjnë punën e tyre dhe t’i shkojnë deri në fund ngjarjes së 30 tetorit.

“Sot, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste firmosa kallëzimin penal për deputetin Bledjon Nallbati për dhunën fizike të ushtruar në seancën e fundit ndaj deputetit Vullnet Sina.

Qëndrimi ynë është i qartë. Nuk do te tolerojmë asnjë akt dhune dhe refuzojmë këdo që e konsideron dhunën si mundësi për të shprehur mospajtimin. Ftojmë organet ligjzbatuese të bëjnë punën e tyre dhe t’i shkojnë deri në fund ngjarjes së 30 tetorit në Parlament”, shkruan Çuçi.