Lajme

‘E vërteta doli në shesh’, reagon shqiptari që u dënua për vrasjen e bashkëshortes

Shqiptari, i cili u burgos padrejtësisht për vrasjen e bashkëshortes së tij në vitin 2014 ka folur për mediat greke.

“Në fund të fundit ka një Zot. Zoti pati mëshirë për mua dhe më ndihmoi të zbulohej e vërteta. Në të vërtetë, tani mund të them se ndihem i shfajësuar pas shumë vuajtjeve. Askush nuk më besonte se isha i pafajshëm. Të gjithë menduan se e vrava dhe më futën në burg padrejtësisht”, tha shqiptari.

Për vitet që ka kaluar pas hekurave ai thotë: “Tre vite të jetës sime i kalova në burg kur isha i pafajshëm dhe qaja por askush nuk më dëgjonte. Ishin vitet më të vështira të jetës sime. Nuk ka gjë më mizore se të “pagëzohesh” vrasës pa kryer asnjë krim. Ndjeva se po më shkatërrohej nderi dhe dinjiteti dhe nuk mund të bëja asgjë. Fëmijët e mi u mërzitën kur dëgjuan se babai i tyre ishte një vrasës”.

“Kjo grua ishte shoqja ime, unë jetoja me të dhe nuk kishte se si të dëmtoja dikë. Dua të vazhdoj jetën time dhe të lë pas këtë makth që do të më shënojë përgjithmonë”, përfundon ai.

Siç zbulon sot gazeta “Demokratiki”, një pakistanez i arrestuar korrikun e kaluar në Gjermani për vjedhje dyqanesh është autori i vrasjes së 43-vjeçares. Zbulimi u bë nga gjurmët e pëllëmbës së tij, ndërsa më pas tregoi krimin e kryer.

Në prill të vitit 2023, “Demokratiki” zbuloi se u vërtetua mospërfshirja e 54-vjeçarit, i dënuar në qershor 2015 me burgim të përjetshëm, në krimin e rëndë. Kështu ai u la i lirë me kushtet shtrënguese të ndalimit të daljes jashtë vendit dhe paraqitjes një herë në muaj në komisariatin e vendbanimit të tij.