Lajme

“Shkoni te Luli t’iu japë byrek”, demokratët bllokojnë edhe Komisionin e Ekonomisë

Deputetët e Partisë Demokratike kanë bllokuar edhe zhvillimin e veprimtarisë së Komisionit të Ekonomisë, i cili ishte parashikuar të niste pasditen e sotme rreth orës 15:00. Edhe kjo mbledhje është anulluar pasi deputetët demokratë kanë mundur të futen në sallë duke mos lejuar vijimin e mbledhjes normalisht.

Deputetët socialistë janë larguar nga godina, dalja e së cilës është shumë pranë selisë së Partisë Demokratike të Lulzim Bashës. Lidhur me këtë deputeti Flamur Noka i është drejtuar atyre duke i thënë që të shkojnë te Basha.

“Ka byrek atje, ka dhe byrek Luli, ju jep dhe byrek shkoni atje!” dëgjohet të thotë Noka, duke iu referuar kështu videos së bërë publike ditën e djeshme ku kreu i demokratëve u shfaq duke ngrënë byrek.

Ndërkohë, vlen për tu theksuar se kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, më herët paralajmëroi se deputetët e opozitës do të vijojnë të mos lejojnë zhvillimin normalisht të seancave plenare.