Përveç se një nga aktoret më të suksesshme të viteve të fundit, Scarlett Johansson është gjithashtu një nga yjet e Hollywood-it që investon më së shumti për mirëqenien e saj mendore. Ylli i “The Avengers”, “Black widow”, “Marriage story” etj, është shprehur gjithmonë se për të një mendje e shëndoshë nis nga një trup i shëndetshëm dhe për këtë arsye punon shumë për fizikun e saj.
Aktorja stërvitet katër ditë në javë për të qëndruar në formë dhe ndjek dietën mesdhetare prej shumë vitesh. “Kam bërë pilates tetë vitet e fundit dhe është e mahnitshme se si ka ndikuar në trupin tim”, -u shpreh ajo për “Stylist”. Por, duket se mosha është një “rrezik” edhe për të, ndaj aktorja është e detyruar ta pranojë këtë gjë dhe të kërkojë rrugë altërnative.
“Po ndodh, po plakem. Jam 38 vjeçe dhe trupi im po ndryshon. Kjo është e vërteta ime dhe tanimë po bëj paqe me të. Rutina ime e stërvitjes ka ndryshuar pasi edhe ritmi im metabolik nuk është më si më parë, ndaj tani po merrem kryesisht me ngritje peshash dhe boks”, -vijoi ajo rrëfimin e saj.
Në intervistë, aktorja foli edhe për betejën e saj me aknet dhe pranoi se për të është e dhimbshme të shikojë imazhe nga e shkuara: “Vëllai im sapo më tregoi fotot e mia në një festë familjare kur isha ndoshta 19 ose 20 vjeç dhe cilësia e lëkurës sime është krejtësisht ndryshe. Ato foto më sollën në mendje shumë kujtime të dhimbshme nga e kaluara. Kam luftuar me lëkurën time për kaq shumë kohë. Më pas, kur isha në të 20-at dhe 30-at e mia, fillova të përdor produktet e duhura dhe brenda një viti lëkura ime ishte krejtësisht ndryshe.”
Nisur nga përvoja e saj personale, aktorja vendosi të hedhë në treg vitin e kaluar një linjë produktesh për kujdesin e lëkurës, (The Outset): “Kur u thashë miqve të mi se po hapja një linjë produktesh për kujdesin e lëkurës, ata më thanë: Më në fund!”, -tregoi ajo.