Menjëherë pasi fitoi lirinë, ish-deputeti Mark Frroku ka sqaruar para gazetarëve se çdo veprim i tij është bërë konform të gjitha ligjeve shqiptare në fuqi.
Ai tha se konfikti nisi nga pala tjetër, të cilët erdhën në vendin e tij të punës.
“Ishim në vendin e punës, konform të gjitha ligjeve shqiptare në fuqi. U konfliktuan ata që erdhën. Ne ishim në vendin e punës. Çfarë të them më tepër”, tha ish-deputeti.
Pak më herët Mark Frroku u lirua nga qelia, dhe për të u caktua masa “detyrim paraqitje”.
Ai akuzohet për 4 vepra penale, “kanosje”, “mos kallzimi i krimit”, “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “prishje e rendit dhe qetësisë publike”.
Për Besnik Tomën, shoferin e ish-deputetit, gjykata caktoi masën “Arrest në burg” në mungesë. Ndërsa për Bajram Kaculin, Erjon Rekën, Orgito Rekën, Ylli Rekën, Antonio Lazarin, Pal Dodën, Martin Lazerin, të gjithë të përfshirë në konflikt, është caktuar masa “detyrim paraqitje”.
Pak ditë më parë përfaqësues të Kishës Françeskane u përplasën me banorët e fshatit Shetaj. Të dyja palët pretendojnë pronësinë e tokës.
Shkak janë bërë disa dokumente pronësie të njëjta që disponohen nga të dyja palët, e për rrjedhojë të dyja palët pretendojnë se janë pronare të tokës.
I gjithë konflikti ka nisur pikërisht për këtë truall, ku në lojë janë futur edhe persona të tjerë, ndër ta edhe ish-deputeti Mark Frroku. Ky i fundit, referuar njoftimit të Policisë së Shtetit, ka qenë në zonë dhe më pas është përfshirë në konflikt si përfaqësues i Kishës dhe ka nisur rrethimin e pronës.
E ndodhur në një pozicion strategjik, “të fortët” e zonës kanë tentuar ta përvetësojnë, për të ndërtuar më pas një mol në det. Por, kanë hasur në kundërshtimin e familjes Kaculi dhe personave të tjerë, aq sa janë përplasur fizikisht me sende të forta, duke përdorur edhe armët e zjarrit.