Lajme

Balla paralajmëron klubet për tifogrupet: Penalitetet do të jenë të ashpra

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka paralajmëruar tifozët e klubeve për ndëshkime të ashpra në rast agresioni dhe dhune.

I ftuar në ‘Top Story”, Balla tha se ndeshjet janë burim konfliktesh dhe dëmtimi të sigurisë publikë në Shqipëri, teksa u tërheq vëmendjen klubeve të futbollit se penalitetet do të jenë shumë të ashpra sepse qytetarët nuk mund të ndëshkohen për sjelljen e tifogrupeve.

Më tej, ai ka shtuar se Policia e Shtetit do të rikthehet në stadiume për të ruajtur rendin pasi sipas Ballës është e pafalshme që Shqipëria të ndëshkohet me gjoba për faj të personave të papërgjegjshëm që arrijnë të futen në perimetrat e sigurisë.

“Kemi ngjarje dhe evente kombëtare si ndeshjet e futbollit, që besoj e keni parë se ka patur një qasje të re. Sigurisht nuk kemi arritur atje ku unë dua të jemi me standartin që është e pafalshme që Shqipëria të ndëshkohet me gjoba sepse persona të papërgjegjshëm arrijnë të penetrojnë në perimetrat e sigurisë.

Gjithmonë ndeshjet janë burim konfliktesh dhe dëmtimi të sigurisë publike, duhet të jem shumë i qartë, kam qenë i qartë me Presidentin e FSHF por do jem edhe me klubet e futbollit që penalitetet do të jenë shumë të ashpra sepse qytetarët nuk mund të ndëshkohen për sjelljen e disa tifogrupeve të caktuara.

Ka qenë një vendimmarrje e disa viteve më parë, kur policia e Shtetit u tërhoq nga kjo lloj përgjegjësie. Policia do të rikthehet, sepse në fund të fundit është përgjegjësia jonë, cdo lloj aktiviteti me një pjesëmarrje të cakuar qytetarësh është përgjegjësia jonë”, deklaroi Taulant Balla.