Lajme

Shqipëria nën “pushtimin” e stuhisë,Mbrojtja Civile tregon zonat me reshje të dendura

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile i ka bërë apel të gjitha bashkive të vendit që të mobilizojnë strukturat operacionale dhe të jenë në gatishmëri të plotë për tu ardhur në ndihmë qytetarëve përgjatë dy ditëve në vijim, pasi reshjet e dendura të shiut do të jenë prezente në të gjithë vendin.

Sipas parashikimit nga ekspertët e Institutit të Gjeoshkencave IGJEO ditën e nesërme, 4 nëntor, priten reshje intensive në qarqet Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje mesatare deri lokalisht intensive të shoqëruara me shtrëngata. Intesiteti i reshjeve pritet të jetë më i lartë në pjesën e parë të ditës.

Ndërkohë, të dielën, do të ketë reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Shkodër dhe Kukës të shoqëruara me shtrëngata, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare shtrëngata.

Ndërsa ditën e hënë, 6 nëntor, pritet një pakësim i reshjeve, ato priten të jenë të dobëta në të gjitha qarqet dhe të martën do të kemi përsëri reshje shiu, por do të jenë me intesitet të dobët në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës reshjet pritet të arrijnë lokalisht deri mesatare.

Ndër të tjera Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile i është drejtuar qytetarëve duke thënë se “siguria është prioritare. Nëse hasni në ndonjë situatë emergjente, ju lutemi të kujdeseni për veten tuaj dhe për të tjerët. Numri i emergjencave 08000911 është gati për t’ju ndihmuar dhe për t’ju ofruar këshilla në kohë reale”.