Lajme

Izraeli qëllon me raketë kolonën me autoambulanca, 15 të vrarë në Gaza

efundit

Ushtria izraelite raportoi dje se kishte goditur një ambulancë, që sipas saj, po përdorej nga operativët e Hamasit, por pa dhënë një vendndodhje se ku ishte kryer sulmi. Mirëpo, duket se realiteti është ndryshe dhe autoambulanca po transportonte pacientë.

Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe (PRCS) ka ndarë një deklaratë në X, duke thënë se një autokolonë u godit dy herë gjatë rrugës për në spitalin Al-Shifa, një herë 1 km larg dhe një herë të dytë jashtë portës së spitalit.

PCRS tha se 15 civilë u vranë kur një ambulancë u “godit nga një raketë” afër portës së spitalit. Autokolona spitalore kishte tentuar të transportonte të plagosur drejt pikës kufitare Rafah, por ishte kthyer rreth 4 km nga spitali sepse rruga ishte e bllokuar me rrënoja.

Më herët, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza tha se të paktën 13 persona ishin vrarë nga një shpërthim jashtë Al-Shifa. BBC ka verifikuar pamje grafike që tregojnë njerëz të plagosur rëndë dhe ndoshta të vdekur të shtrirë jashtë spitalit.

Në komentin e saj, ushtria izraelite tha se një numër i luftëtarëve të Hamasit ishin vrarë dhe akuzoi Hamasin për transferimin e militantëve dhe armëve me ambulanca, megjithëse nuk ka dhënë ende prova për këtë.