Lajme

Dy orë në SPAK, Rakip Suli: Shyqyr erdhi kjo ditë që të bëhet drejtësi

Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, ka lënë ambientet e SPAK aty ku dhe u mor në pyetje për gati dy orë. Në një deklaratë për mediat kryebashkiaku tha se organet e drejtësisë të bëjnë punën e vet, duke theksuar se do të shkojë në SPAK sa herë që të jetë e nevojshme.

Radhë të parë po them organet të bëjnë punën e vet. Fati që erdhi kjo ditë. Hetimet të vazhdojnë. Faleminderit me gjithë respektin që kam për ju. Do vij në SPAK sa herë të jetë e nevojshme. Shqyqyr erdhi kjo ditë që të bëhet drejtësi.

Të lëmë drejtësinë që të bëjë punën e vetë se po jep shpresë të shqiptarët. Fati që kjo drejtësi do të japë llogari për qytetarët. Më lini të bëj detyrën time, në respekt të qytetarëve”, tha Suli për gazetarët jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme.

SPAK ka nisur hetime për disa tendera të dyshimtë për pastrimin e qytetit dhe dëmshpërblimet për tërmetin.

Kryebashkiaku bashkë me disa zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Kamzës dyshohen për veprat  “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Më herët, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë sekuestruar disa dokuemente në Bashkinë e Kamzës, por edhe procedurat të tenderit për pastrimin e qytetit.