Lajme

Gjykata e Lartë në funksion të plotë me 19 anëtarë

Gjykata e Lartë, organi më i lartë i drejtësisë në Shqipëri, është tashmë në funksionalitet të plotë dhe 19 anëtarët e saj kanë nisur punën. Valbon Çekrezi është anëtari i fundit që i është bashkuar kësaj trupe dhe sot kanë ndarë një fotografi zyrtare.

“Sot Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë – Supreme Court of the Republic of Albania, ka të emëruar 19 gjyqtarë, njëri prej të cilëve është anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor”, njofton Ida Vodica, drejtuese për Mediat në këtë institucion.

Dy javë më parë, Sokol Sadushi është zgjedhur kryetari i Gjykatës së Lartë, me 17 vota pro dhe 1 kundër, duke u vendosur kështu në krye të trupës gjykuese që ka në dorë mijëra dosje të prapambetura për shkak të vettingut, por dhe atyre të reja.

Trupa e plote me 19 anetare e Gjykates se Larte
Trupa e plote me 19 anetare e Gjykates se Larte

Anëtarët e Gjykatës së Lartë

  1. SOKOL SADUSHI
  2. ERVIN PUPE
  3. ILIR PANDA
  4. SOKOL BINAJ
  5. ALBANA BOKSI
  6. SANDËR SIMONI
  7. KLODIAN KURUSHI – Aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor
  8. ARTUR KALAJA
  9. ASIM VOKSHI
  10. MEDI BICI
  11. ARBENA AHMETI
  12. GENTIAN MEDJA
  13. DARJEL SINA
  14. SOKOL NGRESI
  15. MARGARITA BUHALI
  16. ENTON DHIMITRI
  17. ENKELEJDA METALIAJ
  18. VOJSAVA KOLA
  19. VALBON ÇEKREZI

Pas ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore në kuadër të reformës në drejtësi të vitit 2016, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë zgjidhet nga radhët e gjyqtarëve me të paktën 13 vjet përvojë në ushtrimin e profesionit. Një e pesta e gjyqtarëve në këtë gjykatë përzgjidhet mes juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë si avokatë, profesorë ose lektorë të së drejtës, juristë të nivelit të lartë në administratën publike ose në fusha të tjera të së drejtës.

Trupa e plote me 19 anetare e Gjykates se Larte
Trupa e plote me 19 anetare e Gjykates se Larte

Kjo qasje synon shkëputjen nga praktika e përfshirjes së politikës në procedurat e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, shndërrimin e saj në një gjykatë karriere, si dhe garanton gjithashtu ruajtjen e pavarësisë dhe përmirësimin e cilësisë së përbërjes së trupës gjyqësore, bazuar vetëm në meritat profesionale dhe etike personale të anëtarëve të saj.

Bazuar në këtë standard, një nga risitë e reformës në drejtësi të vitit 2016 ishte dhe mundësia që 3 gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të zgjidhen nga Gjykata e Lartë, gjë që do t’i shërbejë miksimit të përvojës së gjyqtarëve me praktikantët e tjerë të së drejtës.