Lajme

PD kërkon interpelancë me Ramën: Të sqarojë marrëveshjen me Italinë për emigrantët

Partia Demokratike e grupit të Lulzim Bashës, ka kërkuar interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama për t’i kërkuar sqarime për marrëveshjen e nënshkruar me kryeministren e Italisë, Georgia Meloni për emigrantët.

Këtë kërkesë të PD e ka depozituar në Kuvend, nënkryetari i PD, Kreshnik Çollaku. PD kërkon sqarime për këtë marrëveshje, pasi nuk ka pasur asnjë informacion për këtë nga pala shqiptare.

“Marrëveshja u njoftua nga kryeministrja italiane, ndërsa pala shqiptare deri tani asnjë transparencë!”, ka thënë Çollaku.

Kujtojmë që Rama dhe Meloni nënshkruan marrëveshjen, ku Shqipëria do jetë vend pritës për emigrantët që shpëtohen në det, jo për ata që mbërrijnë në territorin italian.

Dy qendrat në Shqipëri do të kenë një kapacitet për 3 mijë persona në muaj. Një nga qendrat pritet të ndërtohet në Shëngjin, ku Italia do të kujdeset për financat dhe procedurat e zbarkimit dhe identifikimit, ndërsa qendra tjetër do të ndërtohet në Gjadër.