Bota

Guterres: Gaza po shndërrohet në varrezë për fëmijët, po shkelet ligji ndërkombëtar

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha më 6 nëntor se mbrojtja e civilëve “duhet të jetë parësore” në konfliktin mes Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit, duke paralajmëruar se Rripi i Gazës po shndërrohet “varrezë për fëmijët”.

“Ne duhet të veprojmë tani që të gjejmë një rrugëdalje nga ky shkatërrim brutal, i tmerrshëm dhe agonizues”, tha Guterres për gazetarët, duke bërë thirrje edhe një herë për një armëpushim humanitar.

Izraeli është zotuar se do të zhdukë Hamasin, që udhëheq me Rripin e Gazës, pasi militantët vranë 1.400 persona dhe morën 240 pengje gjatë sulmit të 7 tetorit. Izraeli ka shënjestruar Gazën nga ajri, e ka rrethuar dhe ka nisur sulm tokësor.

Numri i palestinezëve të vrarë në luftën mes Izraelit dhe grupit militant palestinez, Hamas, ka tejkaluar shifrën prej 10.000 personash, ka raportuar Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi. Sipas kësaj ministrie, mbi 4.100 viktima ishin fëmijë dhe 2.640 gra.

“Gaza po shndërrohet në varrezë për fëmijët. Qindra vajza dhe djem raportohet se vriten apo plagosen çdo ditë”, tha Guterres.

Ai tha se po kryhen shkelje të qarta të ligjit ndërkombëtar humanitar. Guterres tha se OKB-ja ka nevojë për 1.2 miliard dollarë për të ndihmuar në dërgimin e ndihmës për 2.7 milionë persona në Gazë dhe Bregun Perëndimor.

“Operacionet tokësore nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit dhe bombardimet e vazhdueshme po godasin civilët, spitalet, kampet e refugjatëve, xhamitë, kishat dhe ndërtesat e OKB-së, përfshirë vendstrehimet. Askush nuk është i sigurt”, tha Guterres.

Guterres thase 89 persona që punonin me Agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) janë vrarë në Gazë.



/tiranapost