Lajme

Netanyahu kundër armëpushimit të përgjithshëm: Të hapur vetëm për pauza të shkurtra

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se vendi i tij do të konsideronte  “pauza të shkurtra taktike” në luftimet në Gaza për të lehtësuar hyrjen e ndihmave ose daljen e pengjeve të mbajtura nga Hamasi, por përsëri hodhi poshtë thirrjet për një armëpushim të plotë pavarësisht presionit ndërkombëtar.

Ai u shpreh se një armëpushim i përgjithshëm do të pëngonte përpjekjet luftarake të vendit të tij, mirëpo një ndalim i luftimeve për arsye humanitare do të merret parasysh.

“Për sa i përket pauzave të shkurtra taktike, një orë këtu, një orë atje, ne i kemi pasur ato më parë. Unë supozoj se do të shikojmë rrethanat për të mundësuar hyrjen e mallrave, mallrave humanitare, ose largimin e pengjeve tona, pengjeve individuale.  Por unë nuk mendoj se do të ketë një armëpushim të përgjithshëm”, tha kryeminustri izraelit.

Kujtojmë se përgjatë orëve të fundit qindra mijëra banorë të Gazës janë zhvendosur në qytet pasi ushtria izraelite urdhëroi komunitetet në veri të evakuoheshin drejt jugut për sigurinë e tyre. Mirëpo, edhe pas kësaj thirrje izraelitët kanë vazhduar të kryejnë sulme ajrore në të gjithë Rripin, duke përfshirë edhe jugun.

Sipas mediave të huaja thuhet se shumë persona kanë humbur jetën si pasojë e shembjeve të ndërtesave në Rafah në jug të Gazës, që i atribuohen sulmeve ajrore izraelite. Mediat palestineze të lajmeve raportuan gjithashtu se ushtarët izraelitë hynë në qytetet në Bregun Perëndimor, duke përfshirë Jenin dhe Tulkarm. Dhuna në Bregun Perëndimor është rritur ndjeshëm që kur Hamasi filloi sulmin e tij ndaj Izraelit më 7 tetor.

Ka pasur gjithashtu informacione se luftëtarët palestinezë kanë lëshuar raketa drejt Izraelit dhe kanë nisur sulme ndaj ushtrisë izraelite në Gaza. Deri më tani thuhet se mbi 10.000 persona janë vrara në Gaza, që nga fillimi i luftës, duke përfshirë më shumë se 4,100 fëmijë.