Lajme

Një sy qorr dhe një vesh shurdh, cilët janë përgjegjësit për kopshtin pa licensë?

Një ngjarje tronditëse është shënuar në Tiranë, ku u raportua se në kopshtin “Stinët”, u dhunua dhe iu thye këmba një vajze 3-vjeçare. Ngjarja ka ngjallur revolt të qytetarët të cilët kanë dalë në protestë pasditen e sotme para kopshtit.

E teksa protesta vijon dhe edukatorja që dyshohet se ka dhunuar 3-vjeçaren Majlinda Dehima është shoqëruar në polici, ngrihen shumë pikëpyetje sesi funksionojnë këto institucione parashkollore private në Shqipëri, kush është përgjegjës për këto kopshte që çelen si “kërpudhat pas shiut”.

Ministria e Arsimit reagoi më herët për ngjarjen duke thënë se kopshti “Stinët” nuk ishte i licensuar, duke hequr kështu disi përgjegjësinë nga vetja, edhe pse në QKB kopshti rezulton me NIPT aktiv, objekt që është në pronësi të shtetases Entela Danushi.

Ministria e Arsimit dhe Sportit i ka kërkuar menjëherë Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake marrjen e masave për mbylljen e menjëherëshme të kopshtit “Stinët”, pasi, nga verifikimet e kryera rezulton se kopshti është në paligjshmëri dhe ushtron aktivitetin i pa licensuar si institucion arsimor parauniversitar privat, në zbatim të ligjit nr.10 081, datë 23.2.2009“, thuhet në deklaratën e Ministrisë.

E teksa prej një viti ky kopsht pret çdo ditë fëmijë, duket se askujt nuk i ka rënë në sy se institucioni ishte i palicensuar. Kopshti “Stinët” ndodhet në rrugën “Anastas Kullurioti”, edhe pse mes Tiranës, policët bashkiakë mund të shohin çdo makinë të parkuar gabim, por jo një kopsht të palicensuar ku shkojnë fëmijë çdo ditë.

Veç policëve, duket se dhe Njësia Bashkiake e cila duhet të njoftojë kryetarin e bashkisë për të gjitha shkeljet e akteve ligjore e nënligjore që vërehen në njësinë bashkiake, duket se nuk e kanë bërë punën si duket. E më pas përgjegjëse është edhe Bashkia e Tiranës, që duke bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh për shkak të “të fortëve”apo miqësive nuk bën kontrollet në çdo kopsht, në mënyrë që asnjë fëmijë mos përballet me dhunën në një ambient ku duhet të marrë dashurinë për dijet.