Lajme

Arben Ahmetaj kërkon lirimin e pasurive të sekuestruara

Ish-zëvendës kryeministri, Arben Ahmetaj, kërkon nga arratia heqjen e sekuestros të pasurive të sekuestruara.  Ahmetaj ka bërë ankim në Gjykatën e Lartë për heqjen e sekuestros për katër apartamente, vilën në Hamallaj dhe për dy llogaritë bankare.

Kjo lëvizje nga Ahmetaj vjen në një kohë kur GJKKO rrëzoi kërkesën e tij për ankimimin e bërë për pasurinë e sekuestruar. Pavarësisht pretendimit të Ahmetajt, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi vendimin e GJKKO.

Kujtojmë se më 18 korrik të këtij viti SPAK ushtroi kontrolle në shtatë banesa të Arben Ahmetajt dhe personave të lidhur me të, ku janë gjetur dhe sekuestruar dokumente me interes për hetimin, si kompjuter laptop, telefona celularë USB, të cilat i janë nënshtruar verifikimeve të mëtejshme.

Gjatë kontrolleve, u sekuestruan 4 apartamente, si dhe dy llogari bankare të cilat arrijnë vlerën 124,300 (njëqind e njëzetë e katër mijë e treqind Euro). Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me inceneratorët. Raportimet janë se ai ndodhet në Britaninë e Madhe, sipas avokatëve mbrojtës, por Ahmetaj ka thënë se nuk do të kthehet në Shqipëri nëse nuk do të dalë në dritë e vërteta.