Lajme

Kthyen lokalin në plantacion droge, dënohen me 3 vite burg 2 shqiptarë në Belgjikë

Dy shqiptarë janë dënuar me nga 3 vite burg në Belgjikë, pasi policia zbuloi gjithsej 1045 bimë kanabisi më 26 mars në Rechtestraat të Lille.

Shqiptarët ranë në pranga, pas një raportimi anonim për një plantacion kanabisi në një lokal fast food. Kaq mjaftoi që policia të niste hetimet me një kamerë termike, ku u pikas plantacioni, i shtrirë në katër dhoma kultivimi. Sipas hulumtimit, të ardhurat totale arritën në 300.960 euro.

Ndërtesa gjithashtu përmbante kontejnerë për rritje për një total prej 3,374 prerje të bimëve kanabis. Ndërsa energjia elektrike ishte lidhur në mënyrë të paligjshme në rrjet.

Një 35-vjeçar shqiptar, i cili ndodhej në pallat në momentin e kontrollit u arrestua dhe u mor pyetje nga policia.

Pas tij, në pranga ka rënë edhe një tjetër shqiptar, i cili kujdesej për bimët e kanabisit. Ata të dy duhet të paguajnë gjithashtu një gjobë prej 8000 euro. Ndërkohë, gjykata ka konfiskuar një fitim kapital prej 100 mijë eurosh.