Lajme

Vuçiç në takim me Macron: Për sa kohë Kurti është në pushtet, nuk e njoh Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se sot në Paris ka takuar shkurtimisht në dy raste presidentin francez Emanuel Macron dhe ka bërë të ditur se sonte në Pallatin Elysee do të ketë një takim privat dypalësh me të.

“Imagjinoni sa i zënë është Macron, janë 20 presidentë dhe nuk e di sa kryeministra këtu, por ai vërtet tregoi shumë respekt për Serbinë dhe kjo duhet të jetë nder për qytetarët e Serbisë. Në orën 20:15 do të bisedojë me përfaqësuesin e Serbisë për të gjitha çështjet e rëndësishme dypalëshe, si dhe ato rajonale dhe globale”, tha Vuçiç.

Ai po ashtu ka thënë se ka diskutuar për çështje bilaterale me kryeministrin e Belgjikës, Alekander De Kro, por edhe për Kosovën për një kohë të gjatë. Ai përsëriti se “nuk i shkon mendja” të njohë Kosovën.

“Nuk më shkon mendja të njoh Kosovën”, tha Vuçiç në një fjalim para mediave në Paris, ku po merr pjesë në Forumin e Paqes. Ai bëri të ditur se do ta ftojë Makronin të vizitojë Serbinë sa më shpejt të jetë e mundur dhe shprehu besimin se kjo mund të ndodhë deri në fund të vitit.

Vuçiç tha se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të jetë një nga temat e takimeve që do të ketë në Paris dhe tha se nuk ka pasur nisma për takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.