Shëndetësi

Çfarë ndodh me zemrën kur tështini?

Me siguri këto ditë shumë prej jush jeni duke përjetuar një gjendje gripale dhe tështimat janë të shumta. Ideja se zemra jonë ndalon kur teshtijmë tingëllon më shumë si diçka që do të ishte e vështirë të besohej por, përsëri, thonë ekspertët, trupi i njeriut bën disa gjëra të çuditshme, por edhe disa gjëra të mrekullueshme.

Teshtitja është mënyra e trupit tonë për të nxjerrë jashtë traktit respirator lëndë të huaja, siç janë pluhuri ose poleni. Ekzistojnë gjithashtu dëshmi se presioni i lartë i ajrit në gojë shoqërohet me teshtitjen dhe bën që truri të fillojë t’u “kërkojë” nervave në hundë që të prodhojnë më shumë mukozë. Detyra e mukusit shtesë është të ndihmojë në parandalimin e hyrjes së substancave të huaja në mushkëri.

Zemra mund të ndalojë, por gjithashtu mund të pushojë, ndryshimi është i madh. Kardiologu Kenneth Mayuga shpjegon se çfarë ndodh me zemrën tonë kur teshtijmë. Gjëja e parë që duhet të dini është se ka një ndryshim të madh midis gjendjes kur zemra pushon dhe kur zemra ndalon së punuari. Zemra nuk rreh me një shpejtësi të caktuar. Përshpejtohet dhe ngadalësohet gjatë gjithë kohës, në varësi të shumë faktorëve. Për shembull, rrahjet e zemrës rriten kur vrapojmë dhe ngadalësohen kur flemë gjumë.

Kur flasim për “arrest kardiak” në terma mjekësorë, në përgjithësi nënkuptojmë një pauzë që zgjat të paktën 3 sekonda. Një pauzë kaq e gjatë mund të jetë shenjë e një problemi me ritmin e zemrës. Por lajmi i mirë është se teshtitja, si një funksion normal i trupit, në përgjithësi nuk shkakton këto pauza të gjata. Pra, teshtitja nuk bën që zemra të ndalet. Edhe pse zakonisht nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, teshtitja ka fuqinë të ngadalësojë zemrën, të paktën për një kohë të shkurtër.

Dr.Mayuga shton: Ritmi i zemrës prishet për momentin kur teshtijmë, por zemra nuk ndalet. Sidoqoftë, ekziston një paralajmërim i caktuar. Disa njerëz përjetojnë një fenomen të quajtur “sinkopa e teshtitjes”. Sinkopa është të fikët dhe kur ndodh, rrahjet e zemrës dhe presioni i gjakut të personit që teshtin bien aq ulët sa që personi mund të ndihet i trullosur apo i bie të fikët. Një dukuri e tillë është shumë e rrallë, edhe në mesin e njerëzve që kanë sinkopë.