Lajme

Njihej si mik i shqiptarëve, humb jetën ish-ministri i Jashtëm i Çekisë

Ish-ministri i Jashtëm çek, Karel Schwarzenberg, ka humbur jetën në moshën 85-vjeçare. Sipas mediave të huaja mësohet se lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar Milroslav Kalousek, aleati i tij politik si dhe Ministria e Jashtme.

Me trishtim dhe respekt të thellë kujtojmë Karel Schëarzenberg, i cili na la sot. Dy herë ministër i Jashtëm dhe kancelari i Vaclav Havel-it, ai formësoi politikën tonë të jashtme dhe dëshmoi gjithmonë me veprimet e tij se ishte një demokrat i vërtetë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Schwarzenberg ishte shtruar në spitalin e Pragës që nga muaji gusht, pasi kishte probleme me zemrën dhe veshkat. Disa ditë më parë ai u dërgua në një klinikë në Vjenë, kryeqytetin austriak, ku dhe jetonte prej disa vitesh.

Schwarzenberg e kishte mbështetur pavarësinë e Kosovës edhe para se ajo të shpallej nga Prishtina zyrtare në shkurt 2008, ndërsa ishte ministër i Jashtëm kur Çekia e njohu atë në maj 2008. Në janar të vitit 2008, një muaj para së Kosova të shpallej e pavarur, Schëarzenberg kishte thënë se “në një kohë të duhur Çekia do ta përkrahë deklaratën e pavarësisë së Kosovës”. Më vonë, vetëm dy ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ai kishte treguar vullnetin për ta njohur pavarësinë e saj.

“Ne do të shohim se sa vende evropiane do ta njohin Kosovën, dhe se si do të sillet Qeveria e Kosovës. Ne do ta marrim vendimin bazuar në këto fakte. Për këtë arsye nuk do të përmend ndonjë datë në veçanti ne do të punojmë me fakte, dhe jo data”, kishte thënë ai më 19 shkurt të vitit 2008. Vendimi i tij ishte kundërshtuar nga disa parti politike, përfshirë edhe ish-presidentin Vaclav Klaus. Në fakt, edhe presidenti i atëhershëm i Çekisë, Millosh Zeman, e që konsiderohej si më i afërt me Rusinë, nuk njihej si mbështetës i pavarësisë së Kosovës.

“Por, shumica e popullit e ka pranuar pavarësinë. Kosova e pavarur nuk është problem për shumicën e çekëve”, kishte thënë Schwarzenberg në shkurt 2018.

Më 2019, ish-presidenti çek Millos Zeman e kishte shqyrtuar mundësinë për ta tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, për çka ishte kundërshtuar nga Schëarzenberg.

“Nëse një shtet njihet, ne nuk mund të themi më se nuk ekziston”, kishte thënë Schwarzenberg për portalin iDnes atë vit.

Lindur më 10 dhjetor 1937, në Pragë, Schwarzenberg dhe familja e tij duhej të iknin nga Çekosllovakia pasi komunistët morën pushtetin në 1948 dhe ata jetuan në mërgim në Austri. Ai studioi drejtësi dhe pylltari në universitetet në Vjenë dhe Graz të Austrisë dhe në Mynih të Gjermanisë, por nuk i mbaroi studimet pasi duhej të kujdesej për pronat e familjes në Austri dhe në shtetin gjerman të Bavarisë.

Pas Revolucionit Kadife 1989 të udhëhequr nga Vaclav Havel, Schwarzenberg u kthye në shtëpi dhe u bë kancelari i Havelit,  kreu i zyrës presidenciale  kur dramaturgu i kthyer në politikan u zgjodh president.

Schëarzenberg shërbeu si ministër i Jashtëm nga 2007-2009. Gjatë asaj kohe, ai dhe Sekretarja e Shtetit e SHBA-së, Condoleezza Rice, nënshkruan një marrëveshje fillestare për të vendosur një mburojë raketore të SHBA-së në Evropën Qendrore dhe Lindore. Sistemi i krijuar për të mbrojtur aleatët amerikanë nga një Iran luftarak dhe i paparashikueshëm u hoq më vonë nga Presidenti Barack Obama.