Lajme

Gjykata e Shkodrës lejon ekstradimin e Igor Kokunov në Rusi: Akuzohet për 30 vrasje

Igor Kokunov, një shtetas rus i arrestuar muaj më parë në Doganën e Muriqanit nga Policia shqiptare, do të ekstradohet në Rusi ku akuzohet për disa vrasje. 59 vjeçari rezultonte në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Moska.

I njohur edhe me nofkën “Vasya Bandit”, Igor Kokunov ka pranuar se ka probleme me drejtësinë në Rusi dhe rrezikon të dënohet me shumë vite burg, për shkak se akuzat ndaj tij lidhen me të paktën 30 vrasje.

Megjithatë, ekstradimi i 59 vjeçarit pritet të marrë kohën e vetë sepse avokati mbrojtës ka paralajmëruar ankimim.

Në rast se vendimi i Gjykatës së Shkodrës apelohet, lejimi i ekstradimit të Igor Kokunov mund të kryhet vetëm kur të njëjtin vendim ta pranojë dhe Agjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë.

“Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Moskës, u finalizua operacioni policor i koduar “Moscow”, në vijim të të cilit u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin, shtetasi I. K., 59 vjeç, banues në Moskë, Rusi.

Gjatë verifikimeve të imtësishme dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 59-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Moska, pasi autoritetet ruse i kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, mbi akuza se ky shtetas i ka dhënë ndihmë dhe ka bashkëpunuar me një autor veprash penale të rënda, në Rusi. Maksimumi i dënimit 15 vjet burg”, njoftoi Policia për arrestimin e Igor Kokunov.