Lajme

Detaje nga goditja e bandës së drogës në Itali, drejtohej nga familja shqiptare

Një megaoperacion është zhvilluar ditën e djeshme në disa qytete të Italisë, ku është shkatërrua një grup kriminel me italianë dhe shqiptarë.

Nga operacioni ranë në pranga 19 persona, ku mes tyre 18 shqiptarë dhe një italianë. Mediat italiane bëjnë me dije se kjo bandë kriminale që merrej me trafikim të lëndëve narkotike drejtohej nga një familje, burri, gruaja dhe djali. Bëhet fjalë për Ardian Korrikun 54 vjeç, Etleva Adami 46 vjeç dhe Jurgen Korriku 27 vjeç. Familja që drejtonte këtë aktivitet kriminal u arrestuan ditën e djeshme nga Policia e Shtetit, pasi ishin në kërkim nga Italia për trafikim të lëndëve narkotike.

Kapen në Shqipëri dhe vihen në pranga 3 shtetas shqiptarë, të kërkuar ndërkombëtarisht në kuadër të këtij operacioni, për trafikim të lëndëve narkotike.

Në kuadër të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë italiane dhe me GDF-në, për goditjen e grupeve/organizatave kriminale në fushën e narkotikëve, me veprimtari në të dy shtetet, ka vijuar në Shqipëri, operacioni policor ndërkombëtar antidrogë i koduar “PUZZLE 2020”. Gjatë këtij operacioni u kapën në vendin tonë, shtetasit shqiptarë A. K., 54 vjeç, J. K., 27 vjeç dhe E. A., 46 vjeç”, njoftoi policia.

Nga operacioni i zhvilluar në total u sekuestruan mbi 420 kg drogë, përkatësisht kokainë, hashash, marihuanë dhe heroinë. Lëndë narkotike e cila nëse do të shitej në treg do të kapte vlerën e 35 milionë eurove.

Grupi kriminal kishte disa korrierë, disa prej të cilëve vepronin në zonat e Modenës, Bolonjës dhe Ravenës si dhe në qytete të tjera italiane. Lënda narkotike blihej ilegalisht në Holandë dhe më pas nëpërmjet Gjermanisë arrinte në Shqipëri, e prej atje trafikohej drejt Italisë.

Hetimet nisën në janar 2020 kur në provincën e Padovës u arrestua një shqiptar, i cili së bashku me gruan e tij italiane po udhëtonte me një makinë në të cilën u zbuluan rreth 2 kilogramë lëndë narkotike.