Lajme

Begaj viziton Panairin e Librit: Kjo është një bibliotekë e madhe shqiptare

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kreu sot një vizitë në Panairin e Librit, i cili po zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve.

Presidenti u takua në Panair me dashamirës të librit dhe autorë të ndryshëm. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Begaj shprehet i gëzuar për shkak se në panair pa të gjithë brezat, që që sipas tij tregon interesin e madh që ka çdo grupmoshë për librat.

Sakaq ai veçoi praninë e fëmijëve dhe të rinjve në panair.

Ata janë brez i jetës virtuale, por ishin në këtë panair dhe kjo është dëshmi e ruajtjes dhe e përcjelljes së një tradite të hershme shqiptare”, shkruan Begaj në Facebook.

“Kjo është një bibliotekë e madhe shqiptare.”

Presidenti vlerësoi ndër të tjera punën e madhe që është bërë në përkthimin e librave nga autorë të huaj.

“E gjithë kjo falë shkrimtarëve, përkthyesve, botuesve që prej 26 vitesh ndjekin këtë traditë të mirë. Më gëzon shumë fakti që në stendat e këtij panairi promovojnë dije në gjuhën shqipe shqiptarë të Shqipërisë, të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi”, shprehet presidenti Begaj.

Postimi i Begajt në Facebook

Sot vizitova Panairin e Librit, ku gjithçka “flet” shqip, me autorë shqiptarë të vjetër e të rinj, personalitete botërore me influencë në të shkuarën dhe të tashmen. E gjithë kjo falë shkrimtarëve, përkthyesve, botuesve që prej 26 vitesh ndjekin këtë traditë të mirë.

Më gëzon shumë fakti që në stendat e këtij panairi promovojnë dije në gjuhën shqipe shqiptarë të Shqipërisë, të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Kjo është një bibliotekë e madhe shqiptare. U ndjeva plot gëzim nga fakti që sërish në panair pashë të gjitha moshat. Të shohësh në shtëpinë e dijes të gjithë brezat, të mbush me urtësi dhe shpresë.

Më gëzon shumë sidomos prania e fëmijëve dhe të rinjve, pasi ata janë brez i jetës virtuale, por ishin në këtë panair dhe kjo është dëshmi e ruajtjes dhe e përcjelljes së një tradite të hershme shqiptare. Përgëzime për të gjithë ata që me pasion për dijen dhe gjuhën amtare po kontribojnë ndjeshëm në ruajtjen dhe forcimin e identitetit tonë kombëtar!