Ish-drejtori i Policisë së Malit të Zi Slavko Stojanoviç është arrestuar të shtunën në Podgoricë, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme të Shtetit, nën dyshimet për “keqpërdorim të pozitës zyrtare në lidhje me kontrabandën e cigareve”.
Ministri i Brendshëm malazez Danilo Sharanoviç tha se “arrestimi tregon se askush nuk është dhe nuk do të jetë mbi ligjin dhe se kushdo që është përfshirë në veprimtari të paligjshme do të vihet para drejtësisë”, sikurse tha ai.
Kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajiq përshëndeti vendimin e autoriteteve për arrestimin e Slavko Stojanoviçit. Ai tha se “lufta e vendosur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është parakusht për sundimin e ligjit dhe kriteri më i rëndësishëm për përshpejtimin e rrugës evropiane” të vendit.
Slavko Stojanoviç ka qenë në detyrën drejtorit të policisë të Malit të Zi prej vitit 2013 deri në 2018. Analistët përmendin se “gjatë mandatit të tij janë vrarë më shumë se 40 persona si pasojë e përplasjeve mes klaneve kriminale në Mal të Zi”.
Në korrik të këtij viti autoritetet arrestuan pasuesin e zotit Stojanoviç në detyrën drejtorit të policisë, Veselin Vujoviç, i cili shërbeu prej vitit 2018 deri në 2020. Ndërsa prej vitit 2020 deri në vitin 2023 ai shërbeu si këshilltar për Sigurinë i ish-Presidentit Milo Gjykanoviç.
Veselin Vujoviç ndodhet në paraburgim, nën dyshimet për krijimin e një organizate kriminale, shpërdorim detyre dhe kontrabandë.
Partia Demokratike e Socialistëve e ish-Presidentit Gjukanoviç tha në atë kohë se ish-drejtori i Policisë Veselin Veloviç ishte arrestuar pas “presionit të paprecedentë të kryeministrit në largim Dritan Abazoviqit, ndaj këtij institucioni”, sikurse e cilësoi ajo./ REL