Lajme

Hekurudhë e re me shpejtësi deri në 200 km/h nga Nishi në Shkup

Nishi dhe Shkupi do të ndërlidhen me nje hekurudhë ku trenat do të lëvizin me shpejtësi deri në 200 kilometra në orë. Aktualisht është duke u projektuar seksioni hekurudhor Nish-Preshevë i gjatë 135 kilometra, dhe me tej do të projektohen rreth 50 kilometra nga kufiri deri në Shkup.

Serbia dhe Maqedonia e Veriut kane nënshkruar memorandumin për ndërtimin e hekurudhës se re për të cilën të dyja shtetet bashkërisht do të kërkojnë financiame nga Bashkimi Evropian.

Me këtë hekurudhë, tha kryeministrja Brnabiç, po ndërlidhet Nishi me Shkupin, Beogradin, Suboticën e Budapestin e më tej me Europën qendrore dhe perëndimore. Po ashtu realizohet ndërlidhja e kësaj hekurudhe, me një korridor hekurudhor në Selanik dhe më pas në Athinë me portin e Pireut.

Brnabiç tha se Serbia ka filluar ndërtimin e korridorit hekurudhor Nish-Dimitrovgrad, një korridor shtesë hekurudhor me Bullgarinë ndersa planifikon të lidhet me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Serbët synojnë që të ndërtojnë edhe korridorin hekurudhor Beograd-Zagreb-Ljubljanë, i cili më pas do t’i lidhë më tej me Austrinë dhe Italinë.

Synimi tjeter është që në Korridorin 10 të ndërtohet një hekurudhë krejtësisht e re e shpejtë e cila do të shkojë nga Shkupi në Selanik dhe më pas nga Shkupi në Pire dhe Athinë. Shpejtësia e lëvizjes së trenave në këte hekurudhë do të jetë të paktën 160 kilometra në orë.