Lajme

SPAK prangos “të fortin” e Kukësit dhe shefin e Krimeve në Tiranë

Bujar Gërmizi, i cilësuar si “i forti” i Kukësit, është vënë në pranga nga Policia e Shtetit me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme. Ky i fundit njihet dhe si Bujar Ajeti dhe dyshohet se është përfshirë në zhdukjen e një personazhi të njohur të botës së krimit dhe biznesit.

Po ashtu, është arrestuar me kërkesë të SPAK edhe shefi i Krimeve në Komisariatin Nr.6 në Tiranë. Dedan Gjoni, i katapultuar në një post të lartë dhe me ndikim në Policinë e Shtetit, akuzohet se është përfshirë në krijimin e kushteve për vrasje.

Nuk dihet nëse krijimi i këtyre kushteve për të kryer vrasje nga ana e shefit e Krimeve ka lidhje me të njëjtën ngjarje për të cilën dyshohet dhe Bujar Gërmizi.

Nëse hetim e SPAK lidhen pikërisht me atë çfarë ne raportojmë më sipër, atëherë opinioni publik do të mësojë për fatin e një prej personave më me ndikim në botën e krimit dhe biznesit, i cili rezulton i zhdukur pa gjurmë prej disa muajsh.

I arrestuar bashkë me këta persona është dhe shtetasi Besmir Mustati, por për këtë të fundit nuk ka rekorde dhe nuk dihet se çfarë roli ka pasur në këtë grup kriminal.

Megjithatë, rreth paradites së sotme Prokuroria e Posaçme do të dalë me njoftim zyrtar për arrestimet.

Me kërkesë të organit të akuzës, Policia e Shtetit ka vënë në pranga dje dhe një nga ish-drejtuesit më të lartë të saj. Erzen Breçani, numri një i Policisë së Tiranës gjatë kohës së qeverisë Berisha, është arrestuar bashkë me djalin e tij të madh. Sipas atyre që kanë rrjedhur në media, bëhet fjalë për një grup kriminal që ka dalë në përgjimet e aplikacionit “SKY”.

Në kërkim, si pjesë e këtij grupi rezulton dhe shtetasi Ervin Mata, një biznesmen i përfshirë në histori të dyshimta dhe kundërshtar i mbretit të basteve Ervis Martinaj.

Ish-partneri i këngëtares Elvana Gjata u përfshi vite më parë në ngjarjen që ka marrë emrin si “Masakra e ish-Bllokut”, ju persona nën shoqërinë e Matës u përplasën me armë me grupin e Ervis Martinaj brenda një lokali dhe i vdekur mbeti shtetasi Fabiol Gaxha.