Lajme

SPAK zbardhi planin për të vrarë dy vëllezërit, oficerja e Interpolit dha vendodhjen

Prokuroria e Posaçme lëshoi 11 urdhër arreste, ku 6 prej tyre janë ekzekutuar, ndërsa 5 të tjerë janë shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për biznesmenin Ervin Mata, një emër i njohur për drejtësinë, si dhe për ish-zyrtarë të Policisë.

Mes të arrestuarve burime për mediat bëjnë me dije se përveç ish-zv, drejtorit të Policisë së Tiranës, Erzen Breçanit dhe djalit të tij, Eralb Breçani, janë edhe Besmir Mustati dhe Bujar Germizi. Ky i fundit njihet dhe si Bujar Ajeti dhe dyshohet se është përfshirë në zhdukjen e një personazhi të njohur të botës së krimit dhe biznesit.

Sipas po të njëjtave burime mësohet se Bujar Germizi dhe Besmir Mustafi kanë bashkëpunuar me shefin e krimeve në Komisariatin nr.6, Dedan Gjonin, për të ekzekutuar dy vëllezërit që jetojnë në Britaninë e Madhe.

Ndërsa, Jonida Babameto, oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit, e cila po ashtu ra në prangat e Policisë mbrëmjen e djeshme, mësohet se gjatë kohës kur punonte në “Interpol” u ka dhënë informacione nga sistemi për dy objektivat që jetonin në Angli. Deri më tani dyshohet se plani për vrasjen e dy vëllezërve ishte bërë pas konfliktieve për pazaret e drogës.

Ky operacion është pjesë e “Matamorfozës” dhe se urdhër-arrestet janë dhënë pas zbërthimit të mesazheve nga aplikacioni i koduar “SKY ECC”.