Lajme

Kaosi në kuvend, mblidhet sot Sekretariati i Etikës për deputetët e opozitës

Këtë të mërkurë pritet të mbahet mbledhja e Sekretariatit të Etikës për përjashtimin e deputetëve që shkaktuan trazira dhe ndezën flakedanë në seancën e fundit plenare.

Ende nuk dihet se për cilët deputetë  bëhet fjalë konkretisht, por një pjesë prej tyre hodhën tymuese në sallën e Kuvendit, duke përsëritur kështu të njëjtat skenare të ndjekura dhe përgjatë seancave të kaluara.

Ka qenë deputeti demokrat, Flamur Noka, ai i cili ndezi fillimisht tymueset në sallë. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e përjashtoi këtë të fundit nga seanca.

Tymueset shumëngjyrëshe u ndezën pasi deputetët e opozitës përmbysën karriget, duke e bërë thuajse të pamundur zhvillimin e seancës plenare.

Ndërkohë, nga ajo çfarë u pa në media, në një moment u përfshi nga zjarri një prej poltroneve dhe kanë qenë punonjësit e Gardës ata të cilët kanë bërë të mundur neutralizimin e flakëve.