Lajme

Qeveria e Kosovës shtyn regjistrimin e popullsisë për në pranverë

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të shtyjë sërish regjistrimin e popullsisë, kësaj radhe për 5 prill të vitit të ardhshëm.

Regjistrimi i popullsisë fillimisht ishte planifikuar të fillonte në shtator të këtij viti, por Qeveria e shtyu për 1 nëntor dhe tani është shtyrë sërish.

Kryeministri Albin Kurti thotë se Agjencia e Statistikave të Kosovës është subjekti përgjegjës për regjistrimin e popullsisë.

“Gjatë javës së kaluar kam shfrytëzuar autoritetin tim ligjor për ndryshimin e udhëheqjes së ASK-së si hap i parë për të rritur efikasitetin e procesit”, tha ai.

Ai shtoi se letra informative që ka marrë nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati, dëshmon se procesi i regjistrimit të popullsisë nuk është menaxhuar mirë, por është premtuar se gabimet e së kaluarës nuk do të përsëriten.

“Regjistrimi i popullsisë shtyhet për periudhën nga 5 prilli deri më 17 maj 2024 për zbatimin e parimit të Eurostat-it”, tha ai.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, sipas të cilit numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë është rreth 1.8 milionë.

Qytetarët e komunave në veri të Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore nuk janë përfshirë në këtë regjistrim për shkak se nuk kanë marrë pjesë në të.