Lajme

Mori makina me qira dhe i shiti, arrestohet 37-vjeçari, në kërkim dhe dy zyrtarë

efundit

Një 37-vjeçar nga Elbasani është arrestuar nga policia pasi dyshohet se në bashkëpunim me dy persona të tjerë kanë shitur 3 automjete, të cilat i kishin marrë me qira.

Thanas Beko shiti tre automjete që kishte marrë me qira duke i hequr GPS dhe u falsifikoi dokumentet. Për falsifikimin e dokumenteve të automjeteve, një 25-vjeçar punonjës në Drejtorinë e Transportit ka shpërdoruar detyrën në bashkëpunim me punonjësin tjetër, shtetasin I. B., 37-vjeç.

Dy bashkëpunëtorët janë shpallur në kërkim.

Policia sqaroi se automjetet janë shitur kundrejt vlerës 20 mijë euro. Arrestimi u bë në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Elbasan, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Sundimi i ligjit”, për goditjen e veprimtarive kriminale dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve që i kryejnë ato, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, bazuar në kallëzimin e bërë nga një shtetas që jepte automjete me qira, se i kishin marrë me qira 3 automjete dhe nuk ia kishin kthyer me, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fraud”, për zbardhjen e rastit.

Si rezultat i këtij operacioni, në bashkëpunim edhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, u vu në pranga shtetasi:

Th. B., 37 vjeç, banues në Elbasan.

Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit: R. L., 25 vjeç dhe I. B., 33 vjeç, të dy banues në Elbasan, të dy puonjës të DRSHTRR Elbasan.

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi Th. B. dhe shtetasi R. L. kanë marrë me qira 3 automjete dhe pasi i kanë hequr GPS dhe i kanë falsifikuar dokumentet mbi pronësinë dhe dokumentet e tjera, i kanë shitur kundrejt vlerës 20 000 euro.

Për falsifikimin e dokumenteve të automjeteve, shtetasi R. L. ka shpërdoruar detyrën në DRSHTRR Elbasan, në bashkëpunim me punonjësin tjetër, shtetasin I. B.

Vijon puna për kapjen e këtyre dy shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

3 automjetet janë sekuestruar nga Policia, bashkë me 3 celularë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.