Lajme

Do lirohet grupi i tretë i pengjeve, Izraeli ka gati listën e emrave

efundit

Netanjahu ka deklaruar se është bërë gati një listë e tretë me emrat e pengjeve që do lirohen këtë të dielë. Lista po konfirmohet paraprakisht me autoritetet dhe familjarët.

Shkëmbimi i dytë i pengjeve është kryer me sukses të shtunën në mes të një armëpushimi në Gaza.

39 palestinezë u liruan nga burgjet izraelite, ndërsa grupi militant i Hamasit riktheu 13 pengje te Kryqi i Kuq, për t’u marrë në dorëzim më pas nga forcat izraelite. Palestinezët u pritën me brohoritma në Bregun Perëndimor.

Shkëmbimi sot do të jetë grupi i tretë i pengjeve në një marrëveshje që ka garantuar armëpushim katër-ditor mes palëve, dhe që parashikon lirimin e 50 pengjeve në Gaza, si shkëmbim me 150 palestinezë të mbajtur në burgjet e Izraelit.

Që nga e premtja, janë liruar në total 26 izraelitë dhe 15 shtetas të huaj nga Hamasi, në shkëmbim për 78 të burgosur palestinezë.

Ndërkohë, qeveria e Katarit, e cila negocioi marrëveshjen e armëpushimit, shpreson për një zgjatje të saj përtej katër ditëve.

Ndërkohë, gjatë armëpushimit 61 kamionë me ndihma mjekësore, ushqime dhe ujë arritën të hyjnë në Gaza, sipas OKB. Ndihma ka pasur dhe në spitalin më të madh në Gaza, Al-Shifa, që ka qenë në qendër të luftimeve këtë javë.