Bota

Rosa Parks, Jo-ja që ndryshoi historinë e Amerikës

Në një mbrëmje dimri të vitit 1955, një grua afrikano-amerikane 42-vjeçare e quajtur Rosa Parks, e lodhur pas një dite të gjatë pune si rrobaqepëse, hipi në një autobus në Montgomery, Alabama për të shkuar në shtëpi. Ajo pagoi biletën e saj dhe zuri një vend bosh në zonën e autobusit të shënuar ‘me ngjyrë’.

Pesëdhjetë e pesë vjet më parë, Montgomery kishte miratuar një ligj për ndarjen e pasagjerëve të autobusit sipas racës. Pjesa e përparme e autobusit ishte e rezervuar për qytetarët e bardhë, ulëset në pjesën e pasme për qytetarët me ngjyrë. Por ishte bërë gjithashtu zakon që drejtuesit e autobusëve të udhëzonin një pasagjer me ngjyrë të linte vendin nëse nuk do të kishte vende ‘vetëm për të bardhë’.

Ndërsa autobusi mbushej, shoferi i autobusit James Blake kërkoi që ajo dhe tre pasagjerë të tjerë me ngjyrë të ngriheshin nga vendet e tyre. Vetëm Rosa Parks refuzoi.

Rosa Parks, Jo-ja që ndryshoi historinë e Amerikës

“E bëra këtë sepse ndjeva se po më dhunonin si qenie njerëzore. Kisha pasur një ditë të vështirë në punë, isha e lodhur fizikisht si dhe e shqetësuar mendërisht. Më kishte mërzitur kjo lloj gjëje që duhej të duronim si popull për shkak të racës sonë”, tha ajo më vonë në një intervistë për BBC.

Pasojat ishin të shpejta. Autobusi u ndalua dhe Parks u arrestua menjëherë nga policia lokale. Më 5 dhjetor, ajo u shpall fajtore për shkelje të ligjeve të segregacionit, u dënua me kusht dhe u gjobit me 10 dollarë, plus 4 dollarë shpenzime gjyqësore.

Arrestimi nuk ishte një ngjarje e izoluar, por një pasojë e ligjeve të Jim Croë, legjislacion i krijuar për të kodifikuar racizmin dhe për të margjinalizuar amerikanët me ngjyrë. Ligjet rregullonin pothuajse çdo aspekt të jetës së përditshme, duke u mohuar amerikanëve me ngjyrë të drejtën për të votuar dhe duke detyruar ndarjen e shkollave, tualeteve, transportit publik dhe restoranteve.

Kjo nuk ishte hera e parë që dikush arrestohej pasi refuzoi t’i jepte një vend një pasagjeri të bardhë. Nëntë muaj më parë, e njëjta gjë kishte ndodhur me 15-vjeçaren Claudette Colvin. Por këtë herë akti i kundërshtimit të qetë rezultoi të ishte një katalizator për ndryshim.

Rosa Parks, Jo-ja që ndryshoi historinë e Amerikës

Pamja e jashtme e qetë e Parks nuk i dha askujt përshtypjen se ajo ishte një aktiviste me përvojë që kishte qenë sekretare e Shoqatës Kombëtare për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë (NAACP). Pas arrestimit të saj, një bojkot i sistemit të autobusëve të qytetit u organizua nga Shoqata Montgomery Improvement, e udhëhequr nga një pastor 26-vjeçar i quajtur Martin Luther King Jr. Bojkoti zgjati më shumë se një vit, duke falimentuar tërësisht transportin publik.

Ndërkohë, çështja e Parks u fut në sistemin gjyqësor. Ai përfundimisht arriti në Gjykatën e Lartë të SHBA në dhjetor 1956, e cila vendosi se ndarja e vendeve në autobusë ishte jokushtetuese.

Por Parks u ndëshkua për guximin e saj: ajo humbi punën e saj në dyqanin e mallrave pas bojkotit dhe u përball me kërcënime me vdekje gjatë gjithë procesit gjyqësor.

Një vit pas vendimit të Gjykatës së Lartë, ajo dhe burri i saj, i cili gjithashtu humbi punën e tij, u transferuan në Detroit për t’i shpëtuar ngacmimeve të vazhdueshme.

Në vitet që pasuan, ata të dy u përpoqën të gjenin punë për shkak të reagimit të shkaktuar nga shoqëria. Ajo gjithashtu vuante nga problemet shëndetësore dhe kishte fatura mjekësore. Pavarësisht kësaj, ajo mbeti thellësisht e përfshirë në luftën për të drejtat civile, duke bërë fushatë në Detroit për strehim të drejtë dhe regjistrim të votuesve. Ajo doli vullnetare për kandidatin lokal demokrat John Conyers në fushatën e tij për Kongresin, i cili kur u zgjodh, e punësoi atë si asistente në zyrën e tij në Detroit, një pozicion që ajo e mbajti deri në pensionimin e saj.

Ndikimi i arrestimit të Rosa Parks shkoi përtej thjesht dhënies fund të ndarjes racore në transportin publik. Forca e saj e qetë përballë racizmit çoi në marshimin historik në Uashington, në 1963 dhe miratimin përfundimtar të Aktit të të Drejtave Civile të vitit 1964 dhe Aktit të të Drejtave të Votimit të vitit 1965.

Refuzimi i saj për të hequr dorë nga vendi i saj nxiti vrullin e një lëvizjeje masive që përfundimisht do të çmontonte politikat raciste. Dhe ajo vetë u bë një simbol i luftës për drejtësi dhe barazi.

Në vitin 1999, Kongresi Amerikan i dha asaj nderimin më të lartë, Medaljen e Artë të Kongresit, duke e quajtur atë ‘nëna e lëvizjes për të drejtat civile’.



/tiranapost